Kosova

‘Kërkesat e emisarëve do t’i mësoj të shtunën’, Kurti: Serbisë t’i vihen sanksione

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka dhënë detaje për ardhjen e emisarëve europianë dhe amerikanë në Kosovë, duke thënë se kërkesat dhe ofertat e tyre do t’i mësojë këtë të shtunë.

Megjithatë ai theksoi se Serbia ka vënë në rrezik sigurinë e Kosovës dhe sanksionet duhet t’i vendosen asaj.

“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit por edhe për popullin e shoqërinë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 26 ishte një sulm terrorist ku është vrarë heroi i Kosovës Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, demokracinë por edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi që ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se  kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund duhet ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova që duhet t’i vënë masa ndëshkuese por është Serbia ajo që duhet t’i vendosen sanksionet”, deklaroi ai.

Kurti tha se lidhur me dialogun në Bruksel, marrëveshja nuk është zbatuar sërish për shkak të Serbisë.

“Ne kemi edhe marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 18 marsit. Ne kemi qenë përherë konstruktiv, kreativë dhe të përkushtuar dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë përse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti ka në qendër njohjen defakto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo, do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e europian por edhe siguri për vendin tonë e rajonin”, tha ai.

Në fokus të takimeve të emisarëve europianë dhe amerikanë, pritet të jetë plani që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë