Nga Gazeta ‘Si’-Emisarët europianë dhe amerikanë pritet të vizitojnë nesër(21 tetor) Kosovën dhe Serbinë, ndërsa në fokus të takimeve do të kenë planin që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në këtë vizitë do të jenë edhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministrit italian; Emmanuel Bonn, Jens Plettner dhe Francesca Tal.
Zëdhënësi i Komisionit Europian Peter Stano tha se Lajçak, Escobar dhe këshilltarët e liderëve të 3 vendeve do të takohen fillimisht me kryeministrin Kurti në Kosovë e më pas me presidentin Vuçiç në Serbi.
I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është shprehur se do bëhen përpjekje për rifutjen e dy vendeve në dialog.
“Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë”, tha gjithashtu zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell duke iu referuar sulmit të organizuar nga serbët në veri, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën tre të tjerë.
Më herët, media serbe “Novosti” shkroi në një artikull që vizita e delegacionit SHBA-BE ka për qëllim të shtojë presionin mbi Vuçiç, duke i kërkuar presidentit serb që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, si dhe të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e ka nënshkruar.
“Turi i ri i delegacionit të BE-SHBA është planifikuar pas ngjarjeve në manastirin e Banjskës, me Serbinë që pritet t’i ‘tërhiqet veshi’ nga perëndimorët, pasi doli hapur si agresore në Veri”, shkroi ajo.
Ndërkohë, Bashkimi Europian i ka mbajtur në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




