Bota

Vritet zyrtarja e lartë e Hamasit. Ushtria izraelite: Janë të paktën 203 pengje në Gaza

Gazeta Si – Në një sulm në Gaza, ushtria izraelite vrau Jamila al-Shanti, e veja e bashkëthemeluesit të Hamasit, Abdel Aziz al-Rantisi dhe gruaja e parë e zgjedhur në vitin 2021 në Byronë Politike të organizatës. Al-Rantisi u vra në vitin 2004 në një sulm izraelit gjatë Intifadës së Dytë.

Po ashtu, mediat lokale raportojnë se edhe kreu i forcave të sigurisë kombëtare të udhëhequra nga Hamas në Gaza, Jehad Mheisen, është vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat e Hamasit. Sipas informacioneve, gjatë sulmeve është vrarë edhe familja e tij.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite Daniel Hagari, të paktën 306 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor dhe të paktën 203 qytetarë dhe ushtarë izraelitë mbahen peng nga Hamasi në Gaza.

Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje në Gaza për të mbledhur informacion mbi kushtet e pengjeve, tha Hagari. “Detyra e pastrimit të zonës nuk është përfunduar ende”, tha ai.

Komandot e ushtrisë izraelite kanë hyrë edhe një herë në territorin e Rripit të Gazës në një përpjekje “të synuar” për të gjetur izraelitët e zhdukur ose për të marrë informacion mbi vendndodhjen e tyre.

Daniel Hagari, tha se Izraeli vlerëson se janë 203 pengje të sjellë nga Hamasi në Gaza dhe familjet e të cilëve janë informuar për situatën.

Vetë Hagari saktësoi se në zonat izraelite pranë Rripit trupat po vazhdojnë kërkimin për terroristët e Hamasit që mbetën në terren, njëri prej të cilëve u kap dje.

Ndërkohë, 25% e totalit të shtëpive në Rripin e Gazës, më shumë se 98 mijë njësi banimi, janë shkatërruar ose dëmtuar për shkak të bombardimeve izraelite kundër Hamasit.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Ndër strukturat e dëmtuara ka edhe 170 ndërtesa arsimore, duke përfshirë 20 të përdorura nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinez (UNRËA).

Në total, Kombet e Bashkuara numërojnë 3,478 viktima, përfshirë 853 fëmijë dhe 12,500 të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë