Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin shtator edhe inflacioni i matur sipas Eurostat pësoi rritje të ndjeshme, 4.9%, me një diferencë të fortë nga matjet e INSTAT, 4.1%
Në raport vjetor sipas kësaj metode, ushqimet, pijet joalkoolike, argëtimi, kultura, hoteleritë dhe shërbimi arsimor, raportohen më të shtrenjta. E njëjta gjë edhe për matjet mujore nga gushti në shtator.
Ushqimet dhe pijet kanë shënuar një rritje me 8.4% dhe shërbimet arsimore me rreth 5%.
Vjeshta e 2023-shit, riktheu rritjet e inflacionit në vend, ndikuar pjesërisht nga faktorët sezonalë, por edhe nga një rritje e lehtë e çmimeve të naftës.
Sipas shpjegimit të dhënë nga institucionet statistikore, inflacioni i harmonizuar sipas Eurostat mat ndryshimin e strukturës së shpenzimeve të konsumatorëve sipas produkteve, ndërsa inflacioni që matet nga autoritetet vendase mat ecurinë e çmimeve.
Inflacioni në Shqipëri, krahasuar me vendet e BE-së, nuk renditet më ndër vendet e fundit, por lë pas vende si Gjermania, Suedia, Finlanda etj. Mesatarja e inflacionit në BE për shtatorin është 4.9%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.