Të rinjtë e brezit Z (11-26 vjeçarët) të cilët sapo kanë hyrë në botën e punës, ndajnë në mediat sociale përvojat e tyre të jetës profesionale, nga menaxhimi e deri te braktisja në heshtje (quiet quitting).
Tani, disa prej tyre po zbulojnë edhe se çfarë do të thotë të mërzitesh në punë (bored at work).
Hashtagu #boredatwork ka arritur më shumë se 470 milionë shikime në TikTok, ku të rinjtë ndajnë mendimin se jeta e punës nuk është ajo që ata prisnin.
Një TikToker publikoi një video, duke u rrotulluar në karrige, duke thënë:
“Kur nisni punën tuaj të parë në një kompani dhe kur përparoni me një ritëm më të shpejtë se sa pritej dhe vazhdimisht, nuk keni çfarë të bëni në gjysmën e ditës. Çfarë mërzije”.
Një tjetër TiKToker, e cila punon në një spital, si sekretare, ndau një video të vetes që qëndron në tavolinë, me uniformën e saj, me një tekst sipër videos që thotë: “Paguhem vërtet 20 dollarë në orë për të qëndruar e ulur dhe për të mos bërë asgjë”
@cristinadxnisx_ i get so bored at work 🥲 #healthcare ♬ Bolehhh - BEKZAT BIGELDI
Kjo ndjesi mund të jetë e re për brezin Z, por të provosh mërzi në punë është një fenomen i vjetër që ekspertët e quajnë “boreout” dhe mund të jetë po aq i dëmshëm sa “burnout”(ezaurimi)
Andrew Brodsky, profesor i menaxhimit në Universitetin e Teksas, shpjegoi se “boreout” manifestohet kur ka pak “stimuj” në punë.
“‘Boreout’ është shpesh ekstremi i kundërt i ‘burnout’ po mund të jetë po aq problematik në përvojën në punë” – deklaroi Brodsky në një intervistë për Insider.
“Njerëzit shpesh nuk e mendojnë se edhe marrja e pak stimujve në punë mund të krijojë stres dhe ndjenja negative”.
Ruth Stock-Homburg, president i departamentit të marketingut dhe burimeve njerëzore në Technische Universität të Darmstadt dhe ekspert i “boreout”, shpjegoi se bëhet fjalë për “një fenomen të lënë mjaft pas dore” nga kompanitë, pasi punonjësit mund të ndiejnë turp ta pranojnë.
“Ndryshe nga ‘boreout’, ‘burnout’ ka diçka të bukur, pasi një njeri bën një punë të vlerësuar në shoqërinë tonë” – deklaroi Stock-Homburg. – Njerëzit zakonisht e fshehin mërzitjen e tyre”.
Nëse nuk merrem masa, mërzia mund t’i çojë njerëzit në rrugën e braktisjes në heshtje (quiet quitting) dhe në mosangazhim.
Mërzia (boreout) e ka origjinën nga mungesa e një qëllimi në punë
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për punonjësit e rinj, të moshës mes 18 – 25 vjeç, të cilët, sipas një raporti të Handshake në vitin 2022, thonë se “puna kuptimplotë” është një nga faktorët më motivues që i mban ata në një kompani.
Mërzia fillon të shfaqet kur punonjësit kanë ndjesinë se energjia e tyre po shpërdorohet për detyra banale.
“Flitet shpesh për motivimin e jashtëm, i lidhur me pagën dhe promovimin, por ka dhe një motivim të brendshëm, që lidhet me interesin për punën” – thotë Brodsky, duke shtuar se punonjësit mund të mos ndiejnë variacion, kontroll dhe autonomi në punën e tyre.
Stock-Homburg thekson se “boreout” nuk prek vetëm “humbësit” dhe ata që kanë rendimet të ulët.
Edhe ata që kanë rendiment të lartë mund të bien pre e këtij fenomeni, pasi mund të jenë të padurueshëm dhe dëshirojnë një punë stimuluese.
“Job crafting”, i njohur edhe si “quiet thriving”* është një mënyrë për të kapërcyer mërzinë dhe është “përpjekja për të krijuar punën tonë duke e përshtatur me motivimin tonë dhe atë çfarë po kërkojmë” – tha Brodsky.
Monitorimi i punonjësve çon drejt “teatrit të angazhimit”
Disa kompani priren t’i kontrollojnë punonjësit, duke përdorur një teknologji që monitoron se sa orë punojnë.
Brodsky shpjegon se mërzia shpesh është e rrënjosur në kulturën e punës, ku punonjësit maten në bazë të asaj se sa punojnë dhe jo rezultateve të punës së tyre.
Sipas një sondazhi të Visier në maj, në fakt, 43% e punonjësve amerikanë përkushtohet ndaj të ashtuquajturit “teatër të angazhimit” më shumë se dhjetë orë në javë, duke marrë pjesë në shumë takime apo duke dërguar email-e për t’u dukur sikur janë të zënë me punë.
“Ky teatër angazhimesh mund të jetë një burim mërzie, pasi njerëzit bëjnë sikur punojnë dhe nuk e përdorin mendjen”, – tha Brodsky.
Në vend të kësaj, punonjësit duhet të bëjnë një pushim të shkurtër dhe t’u kushtohen aktiviteteve stimuluese, si për shembull të shohin një video apo të bëjnë një ecje 15 – 20 minuta, në mënyrë që t’i rikthehen punës të “ripërtërirë”.
Lotta Harju, proferore e sjelljes organizative në EM Lyon Business School në Francë, shtoi: “Mos e merrni të mirëqenë se duke i mbajtur punonjësit në punë të angazhuar, mund të shëroni ‘mërzitjen’. Nuk ndodh kështu!”.
Ajo shpjegoi se ka një ide të gabuar se mërzia vjen nga një punë e papërshtatshme – punonjësit gjithsesi mund të mërziten në kompanitë ku puna grumbullohet. Harju përmendi faktorë si burokracia, rregulloret organizative dhe konflikti i rolit.
Si përfundim, nuk u takon vetëm punonjësve ta bëjnë mjedisin e punës më stimulues për veten.
Edhe drejtuesit duhet të bëjnë pjesën e tyre “me biseda të hapura” me bashkëpunëtorët e tyre – tha Brodsky.
“Shumë rrallë ata që janë në poste drejtuese pyesin ata që janë poshtë tyre ‘Çfarë mund të bëj për ta përmirësuar punën tuaj?’ Ata mund të gjejnë mënyra për t’i bërë punët objektivisht më të mira, në mënyrë që punonjësit të punojnë më mirë.
Edhe vetëm duke u kërkuar punonjësve feedback, i bën ata të ndihen më të përfshirë në mjedisin e punës, sikur zëri i tyre dëgjohet më shumë”
Burimi: Business Insider/Përshtati Gazeta Si
*“Quiet thriving” është një fjalë e re. Është antiteza e “quiet quitting”. Bëhet fjalë për ndryshimin në mënyrë aktive të strukturës së ditës së punës, në mënyrë që të ndiheni më të angazhuar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.