Bota

Terrori në Bruksel, policia vret autorin në një kafene. Ishte anëtar i ISIS-it

Gazeta Si – Terroristi që vrau dy persona në Bruksel mbrëmë është identifikuar në lagjen Schaerbeek dhe rreth orës 07:00 të së martës ka ndërhyrë policia.

Sipas meiave belge, Abdesalem Lassoued u godit nga një plumb policie dhe vdiq.

Policia mori një telefonatë duke raportuar se terroristi ishte ulur në një kafene në Schaerbeek, lagjen ku ai jeton me gruan dhe vajzën e tij, pavarësisht se kishte marrë një urdhër dëbimi muaj më parë.

Kur oficerët mbërritën, pasoi një shkëmbim zjarri gjatë së cilit tuniziani u neutralizua. Pranë tij u gjet arma e përdorur në sulm, një pushkë sulmi.

Rreth orës 4 të mëngjesit, tifozët e fundit suedezë të mbyllur në stadiumin ku ishte planifikuar ndeshja Belgjikë-Suedi, mundën të largoheshin dhe të ktheheshin në hotelet e tyre, të shoqëruar nga policia.

Abdesalem Lassoued është një 45-vjeçar tunizian, i cili ishte i njohur për policinë, por nuk ishte në të ashtuquajturën OCAD, lista e individëve potencialisht të rrezikshëm të monitoruar nga shërbimet belge të sigurisë.

Në korrik 2016, një shërbim policor i huaj dha informacionin se Lassoued po përpiqej të largohej në një zonë konflikti për të luftuar në xhihad.

“Në atë kohë kishte raportime të panumërta të këtij lloji, çdo ditë kishte me dhjetëra të tilla”, tha ministri belg i Drejtësisë.

“Ky informacion më pas u analizua dhe asgjë më tej nuk mund të bëhej”. Personi ishte i njohur për policinë për trafik njerëzish dhe qëndrim të paligjshëm. Ai aplikoi për azil në Belgjikë në nëntor 2019.

Në fillim të këtij viti, Lassoued dyshohet se kërcënoi një banor të një qendre për azilkërkuesit, i cili paraqiti një ankesë duke shtuar se i dyshuari ishte dënuar për terrorizëm në Tunizi.

Sipas policisë belge, në realitet njeriu nuk ishte dënuar për terrorizëm në Tunizi, por për vepra penale të lehta.

Përveç dy viktimave suedeze, të hënën në mbrëmje terroristi ka plagosur edhe shoferin e një taksie, i cili nuk është më në rrezik për jetën.

Menjëherë pas sulmit në qendër të Brukselit, në të cilin vdiqën të paktën dy persona, vrasësi i dyshuar postoi një video në Facebook në të cilën pretendonte se ishte i anëtarësuar në ISIS, Shteti Islamik, duke u mburrur. se ka eliminuar jobesimtarët dhe duke pretenduar se ka qëlluar për të “hakmarrë ndaj msslimanëve”.

Lassoued Abdeslam, në videon e publikuar në profilin e Facebook-ut që i përket një farë Slayem Slouma, ka shkruar: “Unë jam një muxhahid i Shtetit Islamik, ju pëlqen apo jo. Ne jetojmë për fenë tonë dhe vdesim për të njëjtën fe”.

Kryeministri belg, teksa konfirmoi se viktimat ishin suedezë, njoftoi ngritjen në nivelet më të larta të kërcënimit terrorist.

Të shtënat ndodhën para takimit Belgjikë-Suedi që luhej mbrëmjen e djeshme, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Dy viktimat mbanin veshur fanellën e kombëtares, megjithatë nuk dihet nëse ata ishin nisur për të parë ndeshjen në stadium.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë