Libra

Përkujtohet poeti e shqipëruesi Faslli Haliti

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot poetin dhe shqipëruesin Faslli Haliti, i cili u nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2020.

“E kujtojmë me nderim sot, për gjithë kontributin e dhënë në historinë e letërsisë shqipe, me përkthimin në shqip, të një prej poetëve të tij të dashur, Nazim Hikmet”, shkruan Qendra Kombëtare e Librit duke publikuar një prej poezive të sjella në shqip nga Faslli Haliti.

Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare, u shua 3 vjet më parë në moshën 85-vjeçare.

Ai ishte autori i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe mbaroi Liceun Artistik për pikturë.

Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973.

Nga viti 1973-1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

U shpall qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë