Treg

Në 6 muaj, bankat në Shqipëri arkëtuan 33 mld lekë vetëm nga rritja e normës së interesit

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e normës së interesit për më shumë se një vit, ka përmirësuar financat e sektorit bankar në vend. Banka e Shqipërisë raporton se deri në fund të qershorit 2023, të ardhurat e bankave nga interesat u rritën me 9 mld lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke kapur vlerën totale të 33.2 mld lekëve.

Rritja prej 9 mld lekësh ishte më së shumti rezultat i kredive në valutë dhe më pak në lekë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht tek të ardhurat e bankave ishte dhe rritja e ngadaltë e shpenzimeve për interesa, 2 mld lekë.

Të ardhurat nga interesat e arkëtuara nga klientët ishin rreth 30% më shumë nga një vit më parë dhe arritën në rreth 22 miliardë lekë, ndërkohë që interesat e arkëtuara nga investimet në letrat me vlerë kapën vlerën 14.4 miliardë lekë, duke qenë, gjithashtu, rreth 24% më të larta në krahasim me të ardhurat e raportuara një vit më parë.

Të ardhurat jo nga interesat të mbledhura nga bankat gjatë periudhës u rritën me 4.6 mld  lekë, në nivelin 7.1 mld lekë, kryesisht pasi sektori bankar raportoi pakësim të humbjeve nga instrumentet  financiare që gjatë periudhës ishin 1 miliardë lekë. Të ardhurat nga komisionet nuk kanë shënuar ndryshime të dukshme në krahasim me një vit më parë. 

Në total, fitimi i akumuluar I të gjithë sektorit bankar ën fund të muajit qershor ishte 14.7 mld lekë nga 6.5 një vit më parë.

Përveç interesave, ndikim pozitiv kanë pasur dhe treguesit e kthimit nga aktivet (RoA) që rezultoi 1.6% dhe kthimit nga kapitali  (RoE) 16%, kundrejt përkatësisht niveleve 0.7% dhe 7.2% të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë