Bota

Gjermania në krah të Izraelit, Scholz: Holokausti na detyron që ta ndihmojmë

Gazeta Si – Deklaratat e Olaf Scholz-it këtë mëngjes në Parlament e rreshtojnë Gjermaninë, në mënyrën më të qartë midis vendeve evropiane, në mbrojtje të Izraelit.

“Për momentin, vendi ynë është përkrah Izraelit. Historia jonë, përgjegjësitë e Holokaustit, na e imponojnë këtë”, – thotë kancelari Scholz.

Me një formulë të përdorur tashmë në të kaluarën nga paraardhësit e tij, por edhe nga Angela Merkel – qasja e Gjermanisë tingëllon si “një angazhim i përhershëm për sigurinë e Izraelit”.

Scholz i ofroi edhe ndihmën e Gjermanisë Netanjahut, “na trego çfarë ka nevojë Izraeli, sepse ne mund të bëjmë shumë, për shembull për të plagosurit”.

Por mbështetja ushtarake e Berlinit për Izraelin është gjithashtu pak më specifike. Është rënë dakord për përdorimin e dronëve luftarakë Herat TP (dy deri në pesë) të prodhimit izraelit dhe të dhënë me qira ushtrisë gjermane, të cilët mund të përdoren në misionet mbi Gaza.

Jo vetëm kaq, ministri i Mbrojtjes gjerman, Pistorius njoftoi gjithashtu se Izraeli i ka kërkuar Brukselit municion detar dhe se kërkesa do të diskutohet së shpejti.

Në takimin me Sheikh Al Thani të Katarit, Scholz shpjegoi: “Do të ishte e papërgjegjshme të mos përdoreshin të gjitha kanalet diplomatike”.

Dhe ai shpjegoi se si Katari, Turqia dhe Egjipti “mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin dhe de-përshkallëzimin e situatës aktuale”.

Për më tepër, ai kërkon “të gjithë në rajon të përmbahen nga veprime të mëtejshme armiqësore kundër Izraelit”. Mesazhi ynë është: sulmi ndaj Izraelit do të ishte i pafalshëm”.

Scholz shtoi se, Hamasi nuk do të ishte në gjendje të sulmonte pa Iranin.

“Deri më tani nuk kemi asnjë provë të prekshme që Irani i ka dhënë mbështetje konkrete dhe operacionale këtij sulmi frikacak nga Hamasi. Por është e qartë për të gjithë ne se pa mbështetjen iraniane në vitet e fundit, Hamasi nuk do të kishte qenë në gjendje të kryente këto sulme të paprecedentë në territorin izraelit”.

Në Berlin, sot Scholz do të takohet me emirin e Katarit, Sheikh Al Thani. Një takim që gazeta “Bild” e parashikon kështu: “Kancelari takohet me sponsorin më të madh të terrorit”.

Dhe nëse ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, tha shprehimisht se nuk mund të ketë tolerancë për vendet që kanë simpati ndaj Hamasit, ajo gjithashtu e bëri të qartë se Gjermania mund të punojë me Katarin për të liruar pengjet.

Gjermania ka të paktën gjashtë pengje – shtetas me shtetësi të dyfishtë – në duart e milicëve islamikë në Rrip.

 Prandaj, puna diplomatike fillon me shtetet e Lindjes së Mesme që mund të veprojnë si ndërmjetës me Hamasin: Katari, Egjipti, Turqia.

Në të njëjtën kohë, Gjermania ka vënë në dispozicion të Izraelit dy dronë luftarakë Heron TP, shkruan gazeta “Spiegel”, edhe pse qeveria nuk e ka konfirmuar këtë për momentin.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, dronët – prodhim izraelit, por në pronësi të ushtrisë gjermane, e cila po trajnonte 16 pilotë për përdorimin e tyre në Izrael – morën dritën jeshile nga ministri i Mbrojtjes Pistorius për t’u përdorur në kundërofensivë në Gaza.

Kjo do të thotë se Gjermania gjithashtu mban anën e Izraelit ushtarakisht – siç u tha Kissinger në një intervistë me Ëelt (“Berlini duhet të hyjë në një koalicion ushtarak me Izraelin”).

Dhe kjo është gjithashtu një shenjë e parë e asaj mbështetjeje aleate – tani për tani pak më shumë se simbolike – për të cilën po fillon të flitet (prania e trupave speciale të SHBA-së, etj…).

Pa harruar se Izraeli ka një marrëveshje me NATO-n, e cila synonte të shërbente si model për Ukrainën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë