I plagosur rëndë vitin e kaluar me thikë në skenë, Salman Rushdie do të shkruajë një kujtim për ngjarjen, si pasojë e së cilës humbi shikimin e njërit sy. Këtë e ka bërë të ditur shtëpia botuese Penguin Random House, e cila boton librat e shkrimtarit anglo-indian të “Vargjeve Satanike”, Salman Rushdie.
“Knife: Meditations After an Attempted Murder” do të dalë më 16 prill 2024 njoftoi botuesi.
“Shkrimi i këtij libri ishte një domosdoshmëri për mua: një mënyrë për të përvetësuar narrativën e asaj që ndodhi dhe për t’iu përgjigjur dhunës me art”, komentoi Rushdie.
Shkrimtari u sulmua më 12 gusht 2022 në skenën e Institutit Chautauqua, një komunitet veror për artet në veri të Nju Jorkut, ku po përgatitej të fliste për Shtetet e Bashkuara si një vend strehimi për shkrimtarët në mërgim. Ndërsa eventi ishte gati të fillonte, një i ri 24-vjeçar, Hadi Matar, doli në skenë dhe e goditi vazhdimisht me thikë në fytyrë dhe në bark Rushdie: vetëm ndërhyrja e pjesëtarëve të publikut arriti të parandalonte që pasojat të ishin edhe më të rënda.
Megjithatë, Rushdie u plagos rëndë; u shtrua në spital, ai u intubua përkohësisht dhe që atëherë ka humbur shikimin në syrin e tij të majtë.
Sulmi lidhej me një jetë të kaluar për vite me radhë nën kërcënimin e fetvasë (dhe një shpërblim prej 2.5 milionë dollarësh për vrasjen e tij) të dekretuar në vitin 1989 kundër shkrimtarit nga ajatollahët iranianë pas botimit të “Vargjeve Satanike”.
Për gati një dekadë Rushdie jetoi i fshehur, një përvojë e trajtuar në një kujtim të mëparshëm, Joseph Anton, botuar në vitin 2012 me pseudonimin që ai adoptoi në atë periudhë frike në homazh ndaj shkrimtarëve Joseph Conrad dhe Anton Chekhov. Fetvaja u revokua në vitin 1998 dhe që atëherë Rushdie është bërë një anëtar aktiv i komunitetit letrar të Nju Jorkut, në ballë të lëvizjes për lirinë e shprehjes.
Fillimisht, ideja për të shkruar për sulmin që iu bë një vit më parë nuk iu duk aq e përshtatshme: por më pas ai ndryshoi mendje dhe e imagjinoi “Knife” si një kundërvënie me Joseph Anton, por nga një këndvështrim tjetër: “Kur dikush ju fut një thikë në trup, është një histori në vetën e parë”. Rushdie ka shkruar 15 romane deri më tani, nga të cilët i fundit, Victory City, i përfunduar para sulmit, doli shkurtin e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.