Kombetarja

Ramadani dhe Seferi, apel tifozëve: Na mbështesni për fitore, por jo sende në fushë!

Gazeta Si – Ylber Ramadani dhe Taulant Seferi ishin dy lojtarët e parë që dolën në konferencë shtypi para ndeshjes me Çekinë, që luhet më 12 tetor në ‘Air Albania’. Ata janë shprehur se Shqipëria do të tentojë gjithçka ndaj Çekisë, nuk do të hyjë në fushë duke bërë llogari.

Pasi vlerësuan kundërshtarin për forcën që ka, si Ramadani, ashtu edhe Seferi theksun se kuqezinjtë janë në gjendje ta fitojnë ndeshjen. Po ashtu, ata bënë edhe një apel për tifozët, që të mbështesin skuadrëm, por të tregojnë kujdes për të shmangur një dënim të mundshëm nga hedhja e sendeve në fushë.

“Nëse arrijmë të shkojmë në Europianin, do të ishte një sukses i madh për ne, për mua, për familjen time. Do të synojmë maksimumin në ndeshjen me Çekinë, kemi ndihmën e tifozëve dhe shpresoj se mund t’ia dalim.

Kemi edhe tri ndeshje, edhe tri finale. Llogaritë bëhen më pas. Çdo ndeshje ka presion, por duhet ta menaxhojmë në mënyrën e duhur, me mendjen e duhur. Çekia? Janë ekip shumë i fortë fizikisht, janë në vend të dytë dhe kanë treguar se janë më të fortë se Polonia.

Do të jetë përkrahje e madhe për ne tifozëria, shpresojmë të mos zhgënjejmë, ashtu si ndeshjet e fundit. Duhet t’ua kthejmë besimin në fushë. Vetëm do t’u lutesha të mos hedhin sende në fushë. Ata duhet të jenë me ne gjithmonë, nuk duam t’i humbim”, – tha Ramadani.

Taulant Seferi theksoi: “Kemi enegji, kemi ardhur të karikuar për ta kaluar me rezultat pozitiv këtë ndeshje. Sulmi është mirë, më i miri që ka pasur Kombëtarja. Konkurrenca na bën vetëm mirë, na ndihmon. Ne na takon të punojmë fort, pastaj zgjedhjet i bën trajneri.

Me shpirt luftarak dhe bashkë me tifozët mund t’ia dalim për të bërë më mirë se Çekia. Çekia ka pësuar vetëm 2 gola, nuk ka humbje. Por Çekia nuk është vetëm Shik. Dua vetëm që tifozët të bëjnë kujdes, për të mos hedhur sende në fushë, sepse na dënojnë. Dënojnë ata, por edhe ne, sepse kemi nevojë për tifozët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë