Bota

Kaos në Izrael, militantët palestinez marrin rob ushtarët, qëllojnë në shtëpitë e banorëve

Militantët e Hamasit kanë deklaruar se kanë kapur ushtarë izraelitë pranë kufirit të Gazës gjatë sulmit të së shtunës në mëngjes.

Në videot e publikuara nga grupi militant, të paktën tre burra të veshur me rroba civile u panë se mbahen rob nën kërcenimin e armëve. Zyrtarë të Hamasit thanë se ato ishin ushtarë izraelitë.

CNN ka kërkuar një reagim nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për këtë lajm por ato kanë deklaruar se nuk kishin koment.

Nga ana tjetër, banorët e Izraelit po luten për ndihmë në lidhjelive me televizione të ndryshme pasi militantët palestinezë po qëllojnë nëpër shtëpia.

Një banor i Kibbutz Nir Oz tha se familja e tij, duke përfshirë dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç, janë mbyllur në një dhomë të sigurt ndërsa militantët nuk ndalojnë së qëlluari.

Ushtria izraelite tha se rreth 2200 raketa janë lëshuar në Izrael të shtunën.

Këto shifra kundërshtojnë shifrat e komandantit ushtarak të Hamasit, Muhammad Al-Deif, i cili më parë tha se ishin lëshuar 5000 raketa.

Si po reagon bota ndaj luftimeve në Izrael

Liderët botërorë po reagojnë ndaj sulmit të papritur të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën në mëngjes. Shumë prej tyre, siç ka ndodhur gjatë konflikteve të mëparshme, bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Çfarë thuhet në Lindjen e Mesme:

Shpesh, ndërmjetësi midis dy palëve, Egjipti tashmë po përpiqet të gjejë një mënyrë për të ndaluar gjakderdhjen. Ministri i Jashtëm Sameh Shoukry tha se ai është në komunikim “intensiv” me kolegët dhe zyrtarët ndërkombëtarë për të “ndaluar përshkallëzimin e vazhdueshëm”, tha ministria në një deklaratë.

Duke folur në një konferencë politike, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij u bën thirrje “palëve të veprojnë me përmbajtje në dritën e ngjarjeve në Izrael këtë mëngjes dhe të qëndrojnë larg hapave impulsivë që do të përshkallëzojnë tensionin”.

Arabia Saudite tha se po ndjek nga afër situatën “të paprecedentë” dhe u bëri thirrje “të dyja palëve të ndalojnë menjëherë përshkallëzimin”. Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha në një deklaratë se po përsërit “paralajmërimet e saj të mëparshme të përsëritura për rreziqet e shpërthimit të situatës si rezultat i okupimit të vazhdueshëm dhe privimit të popullit palestinez nga të drejtat e tij legjitime”.

Ndërkohë, një këshilltar i liderit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei shprehu mbështetje për sulmin militant palestinez ndaj izraelitëve të shtunën, tha ISNA e lidhur me shtetin iranian.

Si kanë reaguar zyrtarët e Bashkimit Europian

Presidentja e Komisionit Europian tha në X, njohur më parë si Tëitter, se ajo dënon “pa mëdyshje” sulmin.

“Është terrorizëm në formën më të neveritshme. Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të tilla të neveritshme.”

Presidenti i Këshillit Europian,Charles Michel: dënoi gjithashtu “sulmet e nisura kundër Izraelit dhe popullit të tij këtë mëngjes, duke shkaktuar terror dhe dhunë ndaj qytetarëve të pafajshëm. Mendimet e mia janë me të gjitha viktimat. BE qëndron në solidaritet me popullin izraelit në këtë moment të tmerrshëm.”

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në X: “Unë dënoj fuqishëm sulmet terroriste që po godasin aktualisht Izraelin. Shpreh solidaritetin tim të plotë me viktimat, familjet dhe të dashurit e tyre.”

Kancelari gjerman Olaf Scholz shkroi se “Na vjen sot një lajm tronditës nga Izraeli. Shpërthimi i raketave nga Gaza dhe dhuna në rritje na tronditin thellë. Gjermania i dënon këto sulme të Hamasit dhe qëndron në krah të Izraelit.”

“Jam i tronditur nga sulmet e mëngjesit të sotëm nga terroristët e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë. Izraeli ka të drejtë absolute për të mbrojtur veten. Ne jemi në kontakt me autoritetet izraelite dhe shtetasit britanikë në Izrael duhet të ndjekin këshillat”, tha Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak.

Edhe Rusia e Ukraina përfshihen

Të dyja palët në luftën në Ukrainë kanë komentuar gjithashtu.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Mikhail Bogdanov tha të shtunën se Rusia është në kontakt me zyrtarët izraelitë dhe palestinezë dhe u bën thirrje të dyja palëve për një armëpushim të menjëhershëm.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës tha në një deklaratë se Ukraina “dënon sulmet terroriste të vazhdueshme kundër Izraelit, duke përfshirë sulmet me raketa kundër civilëve në Jerusalem dhe Tel Aviv”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë