Nga Gazeta Si- Përhapja masive e dhunës seksuale në internet ndaj fëmijëve dhe e shpërndarjes së materialeve me përmbajtje të papranueshme është kthyer në një shqetësim në vendin tonë.
Organizata CRCA shkruan se të dhënat e fundit tregojnë se të paktën 15 mijë profile dhe faqe në Shqipëri u raportuan gjatë vitit 2022 si faqe/profile që kanë materiale me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Çdo sekondë, të paktën 2 imazhe me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, shpërndahen në internet në të gjithë botën.
“Ndërkohë që të gjitha vendet europiane janë duke marr masa drastike për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimin seksual në internet, autoritetet në vend, por edhe prindërit, janë tërësisht të pandërgjegjësuar për krimet që fëmijët në Shqipëri ndeshin çdo ditë në internet”, shkruan CRCA në një deklaratë publike.
Altin Hazizaj, drejtor i CRCA thotë se në platformën iSIGURT.al çdo ditë raportohen të paktën 2-3 kërkesa për mbyllje faqesh apo profilesh në gjuhën shqipe me përmbajtje të bulizmit ekstrem apo dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Hazizaj thotë se për të luftuar këtë duhet që të merren masa urgjente.
“Akesi në materiale pornografike të bëhet vetëm nëpërmjet kartës së identitetit dhe vetëm për personat mbi 18 vjeç”, shkruan Hazizaj duke shtuar edhe se të gjitha platformat në gjuhën shqipe dhe të regjistruara në Shqipëri (sociale, chat, lojëra, mediatike etj.), t’ju caktohet detyrimi ligjor për bllokimin, heqjen dhe raportimin e detyrueshëm në organet ligj-zbatuese, kur përdoruesit e tyre hedhin materiale me përmbajtje të dhunës ekstreme apo me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Po ashtu të gjitha platformat dhe faqet në internet duhet të kenë një formular ankese standard për të raportuar incidentet që fëmijët mund të ndeshin në këto faqe.
Gjithashtu, drejtuesit e CRCA kërkojnë që të gjithë së bashku, institucione, Organizata, prindër, industri e internetit dhe platforma mediatike, të krijojnë një Pakt Kombëtar kundër dhunës seksuale ndaj Fëmijëve në internet dhe në jetën reale, që adreson nevojën për ligje, politika, standarde, shërbime dhe kurikula të reja për mbrojtjen e fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



