Gazeta Si – Ditën e shpalljes së listës së lojtarëve për Çekinë dhe miqësoren me Bullgarinë, trajneri Silvinjo duhet të kryqëzojë gishtat për gjendjen e Berat Gjimshitit. Mbrojtësi që në dy ndeshjet e fundit ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, doli duke çaluar në pjesën e dytë të ndeshjes Sporting-Atalanta, 1-2.
Trajneri Gasperini nis që sot përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat me Lacion në Romë. Ai pret të mësojë më shumë për gjendjen e Gjimshitit, që do të kryejë kontrollet e detajuara mjekësore. Tek Atalanta shpresojnë që të paktën ta kenë në stol futbollistin shqiptar.
Nëse ndodh kështu, mund të jetë një lehtësim edhe për Silvinjon para sfidës vendimtare me Çekinë, që luhet më 12 tetor në ‘Air Albania’. Mbrojtësi kuqezi është në luftë me kohën, me shpresën që pas një jave të jetë gati për Kombëtaren.
Gjimshiti është nga titullarët më të rëndësishëm. Sidomos për ndeshje të nivelit si kjo me Çekinë, ai është i domosdoshëm, sepse ka eksperiencën e gjatë të të luajturit në kompeticione ndërkombëtare. Do të ishte vërtet një humbje shumë e madhe, nëse nuk ia del.
Probleme dëmtimi kohët e fundit ka pasur edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, që gjithashtu po bën të pamundurën për të kaluar shqetësimin muskulor para ndeshjes së 12 tetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.