Kombetarja

Silvinjo mbërrin në Spanjë, vazhdon turin e takimeve me ‘të pakënaqurit’!

Gazeta Si – Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Sylvinjo, vazhdon sot në Spanjë turin e takimeve me lojtarët më pak të aktivizuar në dy ndeshjet e shtatorit me Republikën Çeke në Pragë dhe Poloninë në Tiranë. Sot trajneri brazilian ndodhet në Gadishullin Iberik, ku do të takohet me Ivan Balliun, mbrojtësin e krahut të djahtë, i cili aktivizohet me Rajo Vajekanon.

Trajneri i Kombetares, Silvinjo, ne nje seance stervitore. Gazeta Si, 30 shtator 2023

Pas ‘zbulimit’ të Mario Mitajt, mbrojtësi i krahut të majtë, por nisur nga fakti që Elseid Hysaj aktivizohet në të dy krahët dhe kalon në të djathtin në këtë rast, për Balliun nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion. Megjithatë, një nga pikat e forta të trajnerit, me sa duket, është atmosfera. Fakti që ai deri përpara pak vitesh ka qenë pjesë e futbollit të luajtur e bën ta kuptojë mjaft mirë çfarë do të thotë të grumbullohesh dhe mos kesh minuta për të luajtur.

Ivan Balliu duke bërë nxemjen. Gazeta Si, 30 shtator 2023

Takimi i parë do të jetë pikërisht me Balliun, ndërkohë që ndalesa e dytë do të jetë te Keidi Bare. Mesfushori i Espanjolit, gjithashtu është ndër lojtarët që ka pasur pak minuta në dispozicion në këto ndeshje. Sigurisht, mosaktivizimi i tij lidhet me rikthimin pas një dëmtimi të gjatë, por edhe me paraqitjen shumë të mirë të mesfushës tashmë me Ramadanin, Asanin, Asllanin dhe Bajramin.

Por veç tyre, me gjasë takimit do t’i shtohet edhe Myrto Uzuni. Sulmuesi i Granadas, pas një paraqitje shumë të mirë në vitin e shkuar në La Liga 2, e ka filluar jo mirë këtë edicion dhe me Kombëtaren nuk është se ka bindur shumë.

Uzuni feston nje gol. Gazeta Si, 30 shtator 2023

Përvec kësaj, javën e shkuar u dëmtua, por duket se bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë dhe që nuk do ta kushtëzojë atë për grumbullimin e tetorit, ku Shqipëria do të presë Çekinë në stadiumin “Air Albania”, një ndeshje kyçe për objektivin tonë, kualifikimin në Euro 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë