Filma

Shuhet në moshën 82-vjeçare aktori i ‘Harry Potter’, Michael Gambon

Shuhet në moshën 82-vjeçare aktori Sir Michael Gambon.

Michael Gambon ishte më i njohur për rolin e profesorit Albus Dumbledore në gjashtë nga tetë filmat e “Harry Potter”.

Ylli i lindur në Dublin ka punuar në televizion, film, teatër dhe radio gjatë karrierës së tij prej gjashtë dekadash, derisa ka arritur të rrëmbejë katër çmime “Bafta”.

E veja e tij Lady Gambon dhe djali Fergus thanë se “burri dhe babai i tyre i dashur” vdiq në paqe në spital me familjen pranë tij, pas një periudhe pneumonie.

Familja e Sir Michael ishte zhvendosur në Londër kur ai ishte fëmijë, por ai bëri shfaqjen e tij të parë skenike në Irlandë, në një produksion të Othellos në Dublin në vitin 1962.

Karriera e tij mori hov kur u bë një nga anëtarët origjinalë të kompanisë së aktrimit të Teatrit Kombëtar të Laurence Olivier në Londër.

Po ashtu, ai fitoi tri çmime “Olivier” për shfaqjet në produksionet e Teatrit Kombëtar.

Ai luajti detektivin francez Jules Maigret në serialin “Maigret” dhe ishte i njohur gjithashtu për rolin e tij si Philip Marlow në “Denis Potter’s The Singing Detective” në BBC.

Sir Michael mori rolin e Dumbledore – drejtori i shkollës së magjistarëve Hogwarts – në serialin hit të “Harry Potter”, bazuar në romanet e JK Rowling, pas vdekjes së Richard Harris në vitin 2003.

Fiona Shaw, e cila luajti Petunia Dursley në filma, tha për BBC Radio 4: “Ai e ndryshoi karrierën e tij në mënyrë të jashtëzakonshme dhe kurrë nuk e gjykoi atë që po bënte, ai thjesht luante”.

Dame Eileen Atkins, një mike e vjetër e Sir Michael, tha për BBC Radio 4 në “The World at One” se ai ishte “një aktor i shkëlqyer dhe se kishte prani të mahnitshme në skenë”.

“Kishte diçka shumë të ëmbël tek ai, ky njeri i madh që mund të dukej shumë i frikshëm”.

Aktori, i njohur si “The Great Gambon” në qarqet e aktrimit, ishte shfaqur për herë të fundit në skenë në vitin 2012 në një prodhim në Londër të shfaqjes së Samuel Beckett “All That Fall”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë