16 vjet më parë (25 shtator 2007) u nda nga jeta At Zef Pllumi, një nga figurat më të ndritura shqiptare.
Një burrë i urtë dhe një mendimtar, frati françeskan ishte publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të së vërtetës.
Në nder të kësaj figure të kulturës shqiptare, Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri në bashkëpunim me aktorin Arben Derhemi dhe kompozitorin Aulon Naçi organizoi të martën mbrëmjen artistike “In Memoriam, At Zef Pllumi”.
Në monodramën e interpretuar në hollin protokollar të Kryeministrisë aktori Arben Derhemi veshi petkun e At Zef Pllumit, që është dhe autori i veprës “Rrno për me tregue”, dhe interpretoi pjesë nga krijimtaria e tij, nën tingujt e kompozitorit Aulon Naçi.
“Rrno për me tregue” është një vepër jo e shkruar, por e përjetuar në errësirën e madhe që mbillte komunizmi.
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rrencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007, në Romë, në spitalin “Gemelli”.
At Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake, sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e tmerrshëm nga ana e regjimit komunist e për veprimtarinë e tij të shquar letrare, ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën e jetës françeskane. Vijoi, kështu, mësimet françeskane, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum” në Shkodër.
U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendit françeskan te Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967-ës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim.
Këtë herë iu desh të lëvizte nga Spaçi, në Kriporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.
Në veprimtarinë e tij letrare veçohen “Rrrno vetëm për të tregue” , vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike”, (2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (2001); “Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë filmi (2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (2004).
At Zef Pllumi me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, u kthye në një ikonë të qëndresës antikomuniste.
Disa prej këtyre veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar cakun e kujtimeve duke marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare.
At Zef Pllumi, shkroi në dialektin geg, duke u bërë përfaqësuesi më i shquar i shkollës letrare të Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.