Kosova

Lirohen katër të arrestuarit në Banjskë për mungesë provash

Nga Gazeta ‘Si’-Prokuroria Speciale e Kosovës ka liruar katër personat e arrestuar më 24 shtator në Banjskë të komunës së Zveçanit për mungesë provash të Policisë së Kosovës.

Të katërt u arrestuan teksa afër manastirit në Banjskë u zhvilluan përleshje në mes të Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.

Në atë sulm, që për Prishtinën ka qenë terrorist, janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe katër persona tjerë, për tre prej të cilëve është marrë vendimi për paraburgim prej një muajsh.

Të dyshuarit me inicialet. B.S., D.M, dhe V.T, akuzohen për veprat penale, kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetutes dhe sigurisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më 26 shtator, Sveçla ka publikuar një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë