Një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb e kanë akuzuar partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
Presidenti i partisë opozitare serbe, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, tha më 26 shtator se presidenti Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq “janë përgjegjësit kryesorë për gjakderdhjen në Banjskë” të Zveçanit, transmetoi agjencia Beta.
Duke komentuar për videon e publikuar më 26 shtator nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që pretendoi se shfaqte Radoiçiqin në manastirin e Banjskës i pajisur me armë zjarri, Aleksiq tha:
“Pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilën vdiqën të paktën katër persona, Vuçiq duhet të japë dorëheqje. Radoiçiq nuk ka mundur të armatosë dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit dhe shërbimeve serbe të sigurisë. Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskl”
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikani opozitar në Kosovë.
Kreu i partisë opozitare të krahut të djathtë, Dveri, Boshko Obradoviq, kërkoi nga Qeveria serbe që të njoftojë për numrin emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe arrestuarve në mesin e serbëve në Kosovë.
Ai tha se është “veçmas skandaloze” që pushteti në Serbi po ua lë fajin serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, lideri i partisë së krahut të djathtë, Partia e Re Demokratike, Millosh Jovanoviq, tha se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë se Qeveria e SNS-së duhet të ndryshojë “politikat shkatërruese” sa i përket Kosovës.
“Ky është fundi dhe kjo situatë tragjike tregon se ne duhet të bëjmë ndryshime thelbësore në Serbi. Qeveria duhet të ndryshojë sepse për 12 vjet në pushtet të tyre dhe politikat që nga viti 2008 na kanë sjellë deri te kjo”, tha ai.
Një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se tre sulmues janë vrarë dhe tetë persona janë arrestuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




