Bota

Aeroporti në Londër anulon fluturimet për shkak të përhapjes së Covid-19

Aeroporti Gatwick i Londrës, i dyti më i madhi, ka dalë në një deklaratë për shtyp duke thënë se është detyruar të anulojë më shumë se 160 fluturime deri të dielën për shkak të mungesës së punonjësve të cilët janë infektuar nga Covid-19.

Fluturimet do të kufizohen në 800 në ditë, ku sipas deklaratës, ky është numri minimal që mundtë mbanin që mos të kalohej në kolaps me fluturimet.

“Ky ka qenë një vendim i vështirë, por veprimi që kemi ndërmarrë sot do të thotë se linjat tona ajrore mund të kryejnë disa fluturime që mos të humbasim besimin e pasagjerëve”, tha Stewart Wingate, drejtor i London Gatwick.

Në Britani ka një mbizotërim të variantit të ri BA.2.86 (Pirola). Javët e kaluara kishte një rritje javë pas jave prej 15 për qind në rastet e reja. Më 10 shtator, Zoe Health Study raportoi gjithsej 100,516 raste të reja ditore.

Shifrat e fundit dyjavore të qeverisë të lëshuara më 14 shtator raportojnë gjithashtu rritje të shkallës së infeksionit dhe shtrimit në spital.

Në përgjithësi, shkalla aktuale e shtrimeve në spital me Covid-19 është 4.56 për 100,000 banorë, nga 3.37 dy javët e mëparshme, shkalla më e lartë që nga prilli ndërkohë që normat e shtrimit në spital janë rritur në të gjitha grupmoshat. Për personat mbi 85 vjeç, norma është 51.08 për 100,000 banorë, nga 34.15 në raportin e mëparshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë