Nga Gazeta ‘Si’-Dita e sotme është shpallur ditë zie në Kosovë, me flamujt që do të ulen gjysmë shtizë, në nderim të policit Afrim Bunjaku, që mbeti i vrarë në krye të detyrës në veri të vendit.
“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Po sot në ora 16:00 do të mbahet edhe ceremonia e varrimit. Bunjaku do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrisë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u ndezën qirinj dhe u kryen homazhe për policin 50 vjeçar.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i Komunës së Prishtinës, e policë të tjerë i mbajtën homazhet para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposaviçit. Persona të armatosur i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas, qëlluan në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.