Ish-agjenti i lartë i kundërzbulimit në FBI, Charles F. McGonigal, 55 vjeç, u deklarua fajtor për një akuzë të fshehjes së fakteve materiale, një vepër që sipas mediave ndërkombëtare është e dënueshme deri në pesë vjet burg.
Megjithatë sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të pranuar nga gjykatësja e qarkut të SHBA Colleen Kollar-Kotelly në Uashington, të dyja palët ranë dakord që propabiliteti i dënimit mund të variojë nga zero në 27 muaj për McGonigal.
Sipas asaj që është bërë publike, Prokurorët federalë ranë dakord të heqin të gjitha akuzat e tjera të ngritura: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve, të dënueshme deri në 20 vjet burg, dhe gjashtë akuza të tjera për fshehje të fakteve materiale ose dhënie të deklaratave të rreme.
Aktakuza e ngritur në Uashington, drejtonte gishtin tek McGonigal për fshehjen e pagesave prej 225,000 dollarësh që ai dyshohej se kishte marrë nga "Personi A", i përshkruar në dokumentet e akuzës si një person që ka fituar shtetësinë amerikane dhe jeton në Nju Xhersi i punësuar dekada më parë nga një agjenci e inteligjencës shqiptare, Agron Neza.
Sipas akuzës, McGonigal ka vepruar për të çuar përpara interesat e personit Neza të paktën nga gushti 2017 dhe ka vazhduar pas daljes në pension të tij nga FBI, ndërkohë që nuk ka zbuluar marrëdhënien, e etiketuar si "marrëdhënie e vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë", Edi Rama.
Sipas aktakuzës, McGonigal mori 225,000 dollarë cash nga personi A apo Agron Neza në fund të vitit 2017. Kjo është e vetmja akuzë që ka pranuar McGonigal duke pranuar në një deklaratë marrëveshje se nuk zbuloi më tej takimet me zyrtarë dhe shtetas të huaj të paidentifikuar - të cilët u përmendën në një dosje të veçantë të mbyllur - dhe për përzierjen e biznesit personal dhe si zyrtar i FBI-së.
Ai pranoi se kishte fshehur faktin se kishte udhëtuar me Personin A në katër udhëtime jashtë vendit një vit përpara se të dilte në pension dhe se vendqendrimet e tij ishte paguar nga të tjerët.
Ai gjithashtu fshehu marrjen e 225,000 dollarëve, për të cilat ai tha në gjykatë se ishte një hua nga një partner i mundshëm për të filluar një biznes konsulence sigurie.
Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq.
Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje. Të paktën sipas saj që referojnë mediat e huaja
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.