Treg

Rritja e çmimit të vajit të ullirit në Spanjë, marketet ‘kyçin’ shishet për të shmangur vjedhjet

Me rritjen e çmimeve të vajit të ullirit në Spanjë, rrjetet e supermarketeve kanë filluar të marrin masa duke vendosur pajisje kundër vjedhjes, një fenomen që është shtuar kohët e fundit. Ndërkohë që deri para pak kohësh, njerëzit synonin të vidhnin kryesisht pije alkoolike, tashmë supermarketet në Spanjë kanë raportuar vjedhje të shisheve të vajit të ullirit, duke rezultuar në një humbje të të ardhurave prej rreth 800 milionë euro në vit, sipas Shoqatës Spanjolle të Prodhuesve dhe Shpërndarësve (AECOC).

Vjedhje të sasive të mëdha të vajit të ullirit janë regjistruar edhe në fabrikat e ullirit në vend, si “Marin Serrano El Lagar” në Andaluzi, ku në fund të muajit të kaluar persona të panjohur vodhën  rreth 60.000 litra vaj ulliri ekstra të virgjër me një vlerë e llogaritur afër 420.000 euro, ose “Terraverne” ku kanë vjedhur 6000 litra.

Pavarësisht ndryshimeve të fundit në Kodin Penal të Spanjës, i cili tani parashikon burgim nga gjashtë deri në 18 muaj për hajdutët e supermarketeve, problemi po përkeqësohet.

Edhe pse Spanja është prodhuesi kryesor në botë i vajit të ullirit, prodhimi këtë sezon ka rënë me 50% për shkak të thatësirës. Rritja e çmimeve ka një ndikim shqetësues për të gjithë, përfshirë fermerët, supermarketet dhe konsumatorët.

Supermarketet tashmë po vendosin etiketa elektronike në shishet e vajit të ullirit dhe gjithashtu kanë forcuar sigurinë për të kontrolluar korridoret, në përpjekje për të shpëtuar vajin e ullirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë