Gazeta Si – Kanë mbetur edhe 3 javë nga grumbullimi i radhës së kuqezinjve, për ndeshjen e shumëpritur dhe shumë të rëndësishme me Çekinë, në Tiranë më 12 tetor. Atmosfera mes kuqezinjve është në nivelet më të larta pozitive për shkak të 4 pikëve që arriti të marrë Kombëtarja, në Çeki barazim 1-1 dhe fitorja në Tiranë me Poloninë, 2-0.
Pavarësisht këtyre rezultateve dhe që të gjithë janë të qeshur në fushë, por edhe në pankinë për rezultatet dhe për atë çka po bëjnë djemtë në fushën e lojës, sigurisht që mungesat e ndonjë aktivizimi, të paktën nga jashtë, lënë perceptimin e ndonjë qejfmbetjeje.
Si e tillë mund të shihet nga jashtë mungesa e aktivizimit të Ernest Muçit, sulmuesit të Legias së Varshavës, i cili nuk mori asnjë minutë në këto 2 ndeshje të shtatorit me kuqezinjtë, pavarësisht paraqitjes shumë të mirë që ka bërë me skuadrën polake. përpara grumbullimit të shtatorit erdhi me dy gola të shënuar në ndeshjen e kampionatit dhe sapo u largua shënoi sërish.
Gjithsesi, Silvinjo nuk e pa të arsyeshme ta aktivizonte, por fakti që në të dyja ato ndeshje u morën pikët e nevojshme, jo kujdo i ka rënë në sy mosaktivizimi ish-sulmuesit të Tiranës. Por braziliani ka vetëm 8 vite që e ka lënë futbollin, e njeh mirë mentalitetin dhe gjendjen e lojtarëve dhe sot në rolin e trajnerit atij i duhet të mbajë shumë ekuilibra.
Për të mos lënë asnjë vend për keqkuptim, por edhe për të ruajtur atmosferën mjaft të mirë, Silvio Mendes Campos Júnior është nisur mesditën e sotme drejt Vashavës, së bashku me ndihmësin e tij Doriva, për të ndjekur debutimin në këtë edicion të UEFA Europa League të Muçit me Legian e Varshavës përballë Aston Vilës.
Një vizitë kjo ndaj futbollistit të Kombëtares nga trajneri Silvinjo edhe për t’i treguar mbështetjen, por edhe se sa i rëndësishëm është Ernest Muçi për ekipin dhe për këtë aventurë, që mund të na çojë në realizimin e synimit që janë finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Veç Muçit, një tjetër lojtar i rëndësishëm i kuqezinjve, të paktën në edicionet e eliminatoreve të shkuara, ka qenë edhe Armando Broja, një lojtar i njohur vetëm si emër dhe nga videot për trajnerin Silvinjo. I dëmtuar që nga dhjetori i shkuar dhe që në atë kohë jashtë fushave të lojës, sulmuesi shqiptar i Çelsit ka rifilluar stërvitjen, por rikthimi në fushë me sa duket kërkon ende kohë.
Për këtë arsye, por edhe për ta njohur më mirë dhe për t’i treguar planet e tij, Silvinjo mendohet se mund të jetë në fundjavë në Londër, ku Çelsi do të përballet me Aston Vilën.
Janë të shumtë ata që e presin rikthimin e Brojës, duke filluar nga Çelsi, që sigurisht i duhet javë pas jave, ndërkohë që trajneri Poçetino e ka mbështetur, duke mos e lejuar të shitet. Por edhe Kombëtarja jonë, e cila si rrallë ndonjëherë ka një repart sulmi të mbushur me sulmues që shënojnë dhe aktivizohen plotësisht në klubet e tyre, si Sokol Cikalleshi, Ernest Muçi, Taulant Seferi, Jasir Asani, apo edhe i fundit i aktivizuar në këto dy ndeshje, Mirlind Daku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.