Treg

Bie kredia për sektorin e ndërtimit në vend. Bankat dhanë 10% më pak hua

Nga Gazeta ‘SI’ – Bankat tregtare në vend po reduktojnë mbështetjen e tyre ndaj sektorit të ndërtimit, duke ulur kredidhënien me pothuajse 10% brenda një viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në periudhën janar-korrik 2023, bankat dhanë 20.5 mld lekë kredi të re për ndërtimin, 10% më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ndërkohë një vit më parë, rritja raportohej rreth 40%. 

Gjithsesi, ndikim në këtë rënie mund të ketë pjesërisht edhe zhvlerësimi i euros, monedhë me të cilin ky sektor operon.

Edhe në raportin e Bankës së Shqipërisë për kushtet e kreditimit, thuhet se bankat tregtare ulën numrin e kredive të dhëna për bizneset në tërësi, për shkak të gjendjes financiare të tyre dhe riskut të vlerësuar nga vetë bankat.

Dy burimet me të fuqishme, qeveria dhe BSH parashikojnë se sektori i ndërtimit në vend nuk do të lëvizë më të njëjtën shpejtësi si deri tani. Nga rreth 2% kontribut në rritjen e PBB-së në vitin 2021, qeveria pret vetëm 0.1% në  2023-shin, dhe rritje të papërfillshme në dy vitet pasuese.  Edhe Banka e Shqipërisë flet për rënie të ofertës së banesave në treg dhe rënie të regjistrimeve të reja. Dukuri që është reflektuar që në mesin e 2022-shit.

Sipas agjentëve imobiliar, tregu po ‘qetësohet’, por kjo nuk përkthehet në rënie apo zhvlerësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë