Filma

Nis sonte festivali ‘Prifest’ në Prishtinë, pjesë e garës edhe filmi shqiptar ‘Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur’

Me shfaqjen e filmit “Toka brenda meje” (“The Land Within”), nga regjisori Fisnik Maxville hapet sonte (12 shtator) edicioni i 15-të i Festivalit ndërkombëtar të filmit, “Prishtina International Film Festival” (PriFest).

Ceremonia e hapjes do të mbahet në Kino ARMATA në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Dhjetëra filma artistikë të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër nga vende të ndryshme të botës do të shfaqen në kuadër të këtij edicioni të “PriFesti”-it.

Përveç filmit të regjisorit Maxville, “Toka brenda meje”, prodhim i Kosovës dhe Zvicrës, PriFest do të sjellë edhe një mori filmash, ndërsa në programin kryesor garues të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik janë pesë filma, mes tyre edhe filmi shqiptar “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” nga regjisori Gentian Koçi që ishte edhe kandidatura e Shqipërisë në “Oscars” një vit më parë.

Filmi trajton historinë e dy vëllezërve në të tridhjetat me probleme dëgjimi, binjakë identikë dhe të pandashëm, të cilët zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje gjenetike do të verbohen gradualisht, por në mënyrë të pakthyeshme. Ata luftojnë plot emocione për t’i dhënë kushteve të tyre ekzistenciale të patolerueshme një kthesë tjetër.

Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Sivjet në fokus të “PriFestit” është shteti i Izraelit. Organizatorët e këtij festivali premtojnë një edicion të veçantë me prezantim të premierave filmike e pjesëmarrje të personaliteteve të njohura kinematografike vendase e të huaj.

“Sikur vjet që kishim në fokus Ukrainën, sivjet do ta kemi shtetin e Izraelit. Do të kemi prezencë të kineastëve, producentëve dhe filmave nga Izraeli. Po ashtu edhe një panel të përbashkët të të dy shteteve ku do të shpaloset marrëveshja bilaterale e saponënshkruar për bashkëprodhime filmike mes dy shteteve”, është shprehur drejtori i Prifest, regjisori Fatos Berisha.

Krahas prezantimit të premierave filmike nga rajoni dhe bota, “PriFest” sjellë edhe emra të njohur të kinemasë botërore.

“Do të ketë mysafirë të shumtë, si Mark Forsterer, producent britaniko-amerikan i njohur për filmin ‘Monty Python and the Holy grail’. Pastaj Mark Foligno, producent i filmit ‘King’s Speech’, film me disa çmime ‘Oscar’. Mandej producenti izraelit Kobi Mizrahi i nominuar për ‘Oscar’, si dhe shumë emra të njohur nga rajoni”, është shprehur më tej Berisha.

Edicioni i 15-të i “PriFest”-it mbyllet më 17 shtator 2023.

Një vit më parë, me moton “For Her”, festivali iu kushtua themelueses së këtij festivali, Vjosa Berishës, e cila u nda nga jeta më 23 qershor 2022, pas një sëmundjeje të rëndë.

Po ashtu, që në edicionin e një viti më parë festivali ndryshoi edhe moton e përgjithshme që ishte që nga edicioni i dytë, nga “Friendship Forever PriFest”, në “Vjosa Forever PriFest”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë