Filma

Restaurohet filmi ‘Mësonjëtorja’, i bën homazh rezistencës kombëtare për gjuhën shqipe

44 vite pas realizimit të tij, filmi “Mësonjëtorja” do të vijë për publikun me një cilësi më të lartë figure dhe zëri. Premiera e filmit të restauruar “Mësonjëtorja” do të jetë këtë mbrëmje në Pallatin e Brigadave. Filmi është një prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako dhe muzikë nga Limos Dizdari.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën me dije se në Pallatin e Brigadave do të organizohet një event për përfundimin me sukses të projektit dhe për nderimin e artistëve, që punuan për realizimin e filmit.

Sipas AQSHF-së filmi “Mësonjëtorja” u restaurua falë punës së përbashkët mes Harabel Contemporary Art Platform dhe donatorëve të tjerë.

“Filmi 'Mësonjëtorja' u restaurua falë punës së përbashkët mes Abi Bank, Harabel Contemporary Art Platform dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Një partneritet që do të vazhdojë të punojë së bashku për restaurimin e trashëgimisë kombëtare filmike”, thuhet nga AQSHF në faqen e tij.

Kur kanë kaluar më shumë se katër dekada nga realizimi i këtij prodhimi kinematografik, AQSHF pas restaurimit shprehet se është i dukshëm rezultati i punës, që është bërë me filmin “Mësonjëtorja”.

“44 vite pas realizimit 'Mësonjëtorja' vjen me cilësi të lartë figure dhe zëri. Në këtë klip paraqitet gjendja filmit para dhe pas restaurimit dhe është i dukshëm rezultati i bashkëpunëtorëve tanë të studios Quality Matters”, shprehet AQSHF në një klip të publikuar më parë.

Restaurimi i filmit “Mësonjëtorja” vjen në vijim dhe të tjerë filmave që janë restauruar më parë nga bashkëpunimet që ka pasur AQSHF.

"Mësonjëtorja" një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1979 me regji nga Muharrem Fejzo ka në role aktorët Roza Anagnosti, Guljelm Radoja, Robert Ndrenika, Ardian Cerga, Petrika Riza, Valentina Caci, Marko Bitraku, etj.

Dafina, e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar kthehet në qytetin e saj, për të hapur shkollën e parë për vajzat.

Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut. Për të ndaluar përpjekjet e Dafinës, për ngritjen e shkollës, klerikët përpiqen të eliminojnë njerëzit që i vinin në ndihmë mësueses së re. Ata shkishërojnë dhe tentojnë të helmojnë xhaxhanë e saj, Stefan Bardhin si dhe i vënë flakën shkollës.

Filmi është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e rilindasve për përhapjen e gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë