Gazeta Si – Sokol Kushta, ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares dhe Flamurtarit, ngre në qiell Kombëtaren e Silvinjos. Madje, ai e quan më të mirën e të gjithë kohërave, duke iu referuar 4 ndeshjeve radhazi dinjitoze, që kuqezinjtë nuk i kanë bërë kurrë më parë.
Në statusin e tij në Facebook, Kushta i thur lavde trajnerit brazilian dhe sulmon ish-trajnerin Reja. Sipas vlonjatit, Silvinjo po arrin sukses, sepse nuk ka ardhur vetëm për para. Ish-sulmuesi beson fort te kualifikimi në Europian, për të cilin shkruan se do ta shijojë shumë, sepse është me pikët e skuadrës dhe jo të UEFA-s. Ja dhe statusi i plotë i Kushtës:
“Ky status që në fillimet e trajnerit të ri. Është ky ndryshim që solli gjithë këto ndeshje dinjitoze të Kombëtares. Shumë veta ishin skeptikë te ky ndryshim. Unë besova te Silvinjo që në momentet e para për një arsye: ky njeri erdhi si një punëtor, si një qytetar shqiptar, si një njeri që dashuron vendin që i dha mundësinë të shprehë mundësinë e tij profesionale.
S’dua te flasë për fitoren, por për bazat që ky hodhi tek ekipi ynë. Kur Reja pensionisti diskutonte për ekipin tonë, thoshte kaq ka mundësi, ky është temperamenti shqiptar, s’ka lojtarë etj. Jo zotëri, ti ishe i paaftë të drejtoje këtë Kombëtare.
Shqipëria ja që ka mundësi, ja që ka sulmues, mbrojtës, mesfushorë, që ti nuk i aktivizoje. Ja që ne mund të lozim me dinjitet, me forcë, me taktikë. Ja që jemi altruistë në lojë.
Por çfarë ndodhi? Silvinjo tregoi, që trajneri mund të bëjë histori kur nuk vjen vetëm për lekë. Besoj se kjo është Kombëtarja me e mirë e të gjitha kohërave. Pse e them? Se asnjëherë Kombëtarja s’ka bërë 4 ndeshje radhazi dinjitoze. Një Kombëtare mbarë shqiptare, që ka lozur nga minuta e parë deri në të 98-ën.
Besoj se rruga për në Gjermani është shtruar dhe ju garantoj që do më shijojë më shumë se Franca, se jemi me pikët tona, jo të UEFA-s. Urime dhe suksese për ndeshjen me çekët”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.