Gazeta Si – Më 14 shtator do të zhvillohet seanca paraprake ndaj Fredi Belerit, ku gjykata pritet të vendosë nëse do kalojë apo jo për gjykim dosjen ndaj tij.
SPAK kërkon gjykimin e Belerit, i akuzuar për korrupsion zgjedhor dhe i arrestuar dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.
Mësohet se kryebashkiaku i Himarës, i cili ende nuk e ka ushtruar detyrën e tij, ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por burgjet ja kanë refuzuar.
LEXO EDHE:
– Beleri: Kryeministri dezinformon! S’ka vendim gjykate që s’lejon betimin tim. Daljen nga qelia ma ndalon Drejtoria e Burgjeve, pra Rama
– Dosja ‘Beleri’, 50 euro për një votë. Si nisi hetimi për kryebashkiakun e arrestuar të Himarës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkon gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor. Pritet që pas 3 ditësh Beleri të jetë i pranishëm në seancë.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit ku doli edhe fitues për Bashkinë e Himarës.
Ai ra në pranga për korrupsion pasiv në zgjedhje, me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, teksa ky i fundit u lirua në fillim të qershorit, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Sipas SPAK, arrestimi i tij erdhi pas një denoncimi në prokurori ku pretendohej se Beleri ofronte 40 mijë Lekë për të blerë 8 vota.
Arrestimi i tij ka sjellë reagime të ashpra mes Athinës zyrtare dhe Shqipërisë. Pak ditë më parë, Partitë Popullore Europiane miratuan rezolutën që kërkon lirimin e Belerit, vendim ky që solli edhe reagimin e kreut të qeverisë, Edi Rama. Ky i fundit, tha se kjo çështje i përket vetëm drejtësisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



