Gazeta Si – Fitorja me Poloninë ishte një bonus i madh për Shqipërinë sa i takon kualifikimit në Euro 2024. Kuqezinjtë, kryesues të Grupit E me 10 pikë, kanë një avantazh të konsiderueshëm, por asgjë nuk ka përfunduar.
Çfarë duhet të bëjë Kombëtarja jonë në 3 ndeshjet e mbetura në grup? Llogaritë varen sigurisht nga kombinimet e rezultateve të të gjitha ndeshjeve në grup, por për të siguruar pjesëmarrjen në Gjermani 2024 Silvinjos dhe të tijve do t’u duheshin 5 pikë në 270 minutat e mbetura.
Edhe kalendari na jep një dorë në këtë drejtim, prandaj dhe ajo fitore e madhe e së dielës i ngjante një feste kualifikimi. Kuqezinjtë luajnë dy nga tri ndeshjet e mbetura në ‘Air Albania’, me Çekinë në tetor dhe me Ishujt Faroe në nëntor. Mes këtyre dy ndeshjeve është transferta e Moldavisë.
Nëse marrim të sigurta në letër 3 pikët me Ishujt Faroe, ekipit që mban vendin e fundit në grup he që e kemi mundur edhe në fushën e tij 1-3, do të mjaftonin 2 barazime me Çekinë dhe Moldavinë. Ose një fitore me një nga këto dy skuadra, që gjithashtu janë në garë për kualifikimin dhe ndajnë vendin e 2-të dhe të 3-të me kuotë të barabartë pikësh, 8 secila.
🇦🇱🔝#EURO2024 pic.twitter.com/8ZNE1kl364
— UEFA EURO 2024 (@EURO2024) September 10, 2023
Ishte Moldavia që ‘prishi’ llogaritë paraprake të grupit. Moldavët i dhanë një dorë Shqipërisë, duke mundur Poloninë, por në anën tjetër janë edhe një kërcënim për 2 vendet e para, sepse janë plotësisht në garë. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ajo me Çekinë në ‘Air Albania’, ku duhet shmangur humbja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.