Filma

Filmi shqiptar i Erenik Beqirit, ‘Një udhëtim i shkurtër’ triumfon në Festivalin e Venecias si filmi i shkurtër më i mirë

Nga Gazeta Si - Një film shqiptar triumfon në Festivalin e Venecias. Filmi i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri “Një udhëtim i shkurtër” (A short trip) arriti të triumfojë mes 12 produksioneve në kategorinë ‘Orizzonti’ (për filmat me metrazh të shkurtër) në këtë edicion të 80-të të Festivalit të Venecias.

Filmi ka si subjekt një histori shqiptare, ku tregohen sakrificat e mëdha që bëhen nga shqiptarët në këmbim të një shtetësie të huaj. Rrëfimi shfaq një brez, të gatshëm të shkëmbejë vitet e tyre të bukura për një të ardhme të paparashikueshme.

“Urime Erenik Beqiri për një tjetër sukses! Një lajm i shkëlqyer për kinemanë shqiptare”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Regjisori Erenik Beqiri

Filmi i tij garoi së bashku me 12 filma të tjerë në kategorinë “Orizzonti Cortometragio” dedikuar filmave që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe shprehëse të kinematografisë botërore, me fokusin tek talentet e rinj dhe kinematografitë më pak të njohura.

Aktorët protagonistë pjesëmarrës në film janë Luana Bajrami, Tristan Halilaj, Arben Bajraktari dhe Walid Afkir.

Ndërkohë, Festivali i 80-të i Filmit në Venecia i dha çmimin e tij kryesor, Luanin e Artë, filmit “Poor Things” nga Yorgos Lanthimos.

Fitorja çon më tej zhurmën në rritje të filmit për Oscar, e mundësuar nga një performancë e yllit Emma Stone që mund t’i sjellë asaj një Oscar të dytë për aktoren më të mirë.

“Poor Things” është një përshtatje e romanit të vitit 1992 me të njëjtin emër të shkruar nga Alasdair Grey. Ai tregon historinë e Bella Baxter (luajtur nga Emma Stone), një grua e re që rikthehet në jetë nga një shkencëtar.

Filmi "Poor Things"

Stone, si shumë aktorë dhe aktore të tjerë amerikanë, nuk ishte në Venecia sepse po merr pjesë në grevën e sindikatës SAG-AFTRA, e cila synon të sigurojë kushte më të mira pune dhe mbi të gjitha paga më të larta.

Çmimi i aktores kryesore shkoi për Cailee Spaeny për punën e saj në “Priscilla” të Sofia Coppola, një vështrim intim në lidhjen e hershme të Priscilla Presley me Elvis Presley. Peter Sarsgaard fitoi çmimin e aktorit kryesor për rolin e tij në “Memory” të Michel Franco, përballë Jessica Chastain.

Drama e Matteo Garrone “Me Captain” kapi dy çmime kryesore, duke përfshirë çmimin e regjisë më të mirë dhe çmimin Marcello Mastroianni për aktorin/aktoren e re për yllin e ri Seydou Sarr.

Si çdo vit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia (që të gjithë e quajmë Festivali i Venecias) u mbajt në Lido të Venecias. Festivali organizohet nga Bienalja e Venecias, një nga institucionet kulturore më të rëndësishme në skenën ndërkombëtare, dhe është ndër festivalet më të vjetra në botë.

Është festivali më i rëndësishëm i filmit italian dhe i dyti më i rëndësishëm në botë pas Kanës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë