Gazeta Si – Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ka ngritur alarmin, duke thënë në Samitin e G20 se bota përballet me rrezikun e konflikteve, sepse ndasitë mes vendeve po rriten.
Para nisjes së samitit të 20 vendeve më të industrializuara në Nju Delhi, Guterres tha: “Nëse jemi një familje globale, sot i ngjajmë një të tille jofunksionale. Ndasitë janë duke u rritur, tensionet po përkeqësohen dhe besimi po zhduket. Të gjitha këto rrisin mundësitë për ndasi, apo edhe për konfrontim”.

G20 përbëhet nga 19 shtete dhe Bashkimi Europian. Mospajtimet e mëdha për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe idetë si të luftohen ndryshimet klimatike, pritet ta pengojnë arritjen e ndonjë marrëveshjeje në takimin dyditor të liderëve në Nju Delhi.
“Këto ndasi do të përbënin shqetësim të madh edhe në kohët më të mira, por në rastin tonë nënkuptojnë katastrofë, – ka shtuar Guterres. – Arkitektura financiare globale është e vjetërsuar, jofunksionale dhe e padrejtë. Kërkon reformë të thellë strukturore, e njëjta mund të thuhet edhe për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Lideri kinez, Xi Jinping, nuk merr pjesë në samit, në kohën e rritjes së tensioneve tregtare dhe gjeopolitike me Shtetet e Bashkuara dhe Indinë. Në samit po ashtu nuk merr pjesë as presidenti rus, Vladimir Putin, i cili përballet me fletarrestin ndërkombëtar nën dyshimet për krime lufte, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




