Gazeta Si – Në Pragë ndeshen sot Çekia e vendit të parë në Grupin E dhe Shqipëria e vendit të dytë. Çekët janë favoritë pa dyshim, jo vetëm se luajnë në fushën e tyre, por sepse realisht kanë një skuadër mjaft kompakte.
Trajneri Silvinjo e di mirë forcën e tyre, ka studiuar shumë ndeshje të kundërshtarit. Ai mbetet besnik i rreshtimit 4-3-3, por sot në mbrëmje mund të ndryshojë ndonjë emër në krahasim me dy ndeshjet e fundit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Dilema e madhe e Silvinjos ka të bëjë me sulmin, ose më konkretisht për lojtarin e 3-të që do të kompletojë këtë repart bashkë me Cikalleshin në qendër dhe Asanin nga e djathta. Kandidatë janë Uzuni, Seferi dhe Muja. Braziliani do të vendosë në momentin e fundit dhe nuk është çudi të debutojë me fanellën kuqezi Muja.
Përpara Berishës në mbrojtje do të rreshtohen Hysaj nga e djathta, Gjimshiti dhe Ismajli në qendër, si dhe Mitaj në të majtë. Kështu është punuar gjatë javës, çka do të thotë se Balliu do ta nisë nga stoli këtë ndeshje.
Në mesfushë Ylber Ramadani është i sigurt në qendër. Ai është një nga lojtarët më në formë të momentit në Kombëtare. Aq më tepër që pritet të jetë një ndeshje fizike. Nedim Bajrami po ashtu ka shanse të mëdha për ta nisur nga minuta e parë, ndërsa Gjasula dhe Asllani duken në balotazh për vendin e 3-të në mesfushë.
Ndeshja nis në orën 20:45. Shqipëria, pas 3 ndeshjeve të para, mban vendin e 2-të me 6 pikë, 1 më pak se Cekia.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 4-3-3
Berisha
Hysaj Ismajli Gjimshiti Mitaj
Gjasula Ramadani Bajrami
Asani Cikalleshi Uzuni (Muja)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.