Bota

Pas takimit me Erdogan në Rusi, Putin: Jemi gati t’i ribashkohemi marrëveshjes së grurit nëse Perëndimi respekton angazhimet e tij

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska “do të konsiderojë ribashkimin në marrëveshjen e grurit kur vendet perëndimore të respektojnë angazhimet e tyre”.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja aktualisht është pezulluar pas daljes së Rusisë më 18 korrik.

Angazhimet e marra nga perëndimi të cilave i referohet Putin janë lidhja e bankës ruse bujqësore me Swift, furnizimi me pjesë këmbimi për makineritë bujqësore, zhbllokimi i transportit dhe logjistikës së sigurimeve, riaktivizimi i Togliatti e cila është Tubacioni i amoniakut Odessa dhe shkrirja e aseteve të disa kompanive ruse.

Të gjitha angazhimet e lart përmendura sipas Kremlinit nuk janë respektuar.

Takimi me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan ishte i suksesshëm, tha presidenti rus, Vladimir Putin, në fund të bisedimeve në Soçi.

“Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë po zhvillohen me sukses në të gjitha fushat dhe në të gjitha drejtimet. Takimi ishte një sukses”, tha Putin.

Takimi mes dy liderave është zhvilluar në Soçi, ku pak më herët Putin ka deklaruar se Moska është e hapur për negociata mbi marrëveshjen e grurit.

Bisedimet mes liderave përfunduan pas tre orësh në Soçi.

Pak para takimit, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij është i “hapur” për ta kthyer marrëveshjen e rëndësishme për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, disa orë pasi Moska e sulmoi njërën prej porteve kryesore të drithërave të Ukrainës gjatë natës.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, e cila kishte për qëllim lëvizjen e sigurt të anijeve civile përmes Detit të Zi, dështoi pasi Rusia u tërhoq në korrik.

Moska i ka sulmuar që nga atëherë portet ukrainase, për çka është akuzuar nga Kievi se në mënyrë cinike po tenton ta dëmtojë eksportin e tij dhe ta minojë sigurinë e ushqimit botëror. Të hënën, sulmet ruse me dronë e dëmtuan një port të eksportit në lumin e Danubit, thanë zyrtarët, duke shtuar se depot dhe pajisjet bujqësore u dëmtuan, po ashtu.

Putini u takua më 4 shtator me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për bisedime kokë me kokë në Soçi.

Ky është takimi kokë më kokë mes Erdoganit dhe Putinit që nga tetori i vitit të kaluar dhe vjen në kohën kur forcat ruse po përballen me kundërofensivën ukrainase, që pas tre muajsh betejash brutale në frontin jugor të Ukrainës, ka nisur të shfaqë sukses.

Lideri turk shpreson që ta përdorë samitin joformal në rezortin në Detin e Zi të Soçit si bazë për negociata të paqes të cilat po i debatojnë disa zyrtarë perëndimorë, por dy palët duan të mbajnë negociata vetëm sipas kushteve të tyre.

Në nisje të takimit, Erdogan tha se do të bëjë “një njoftim shumë të rëndësishëm” për eksportet e drithërave ukrainase, pas bisedës me Putinin.

“Besoj se mesazhi që të japim gjatë konferencës për media do të jetë shumë i rëndëshëm për botën, veçmas për shtetet e pazhvilluara në Afrikë”, tha Erdogan në nisje të takimit me Putinin.

Erdogan është një prej liderëve të paktë të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s që ka mbajtur të hapur qasjen me Putinin.

Dy liderët kanë raporte të ngushta, por duket se marrëdhënia e tyre është forcuar që kur Rusia nisi “operacionin e posaçëm ushtarak” – pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – shkurtin e vitit të kaluar.

Vendimi i Putinit për të ulur dhe vonuar pagesat e Turqisë për importet e gazit rus ka ndihmuar në lehtësimin e krizës ekonomike, që për pak ia humbi zgjedhjet presidenciale Erdoganit që u mbajtën në maj.

Ankaraja u kundërpërgjigj duke refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe Turqia është bërë një shtet kyç për qasjen e Rusisë në mallra dhe shërbime.

Por, Erdogani po ashtu ka irrituar Putinin pasi ka furnizuar Ukrainën me armë dhe ka mbështetur ambiciet e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO.

Kremlini është zemëruar veçanërisht kur Erdogani në korrik lejoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, – i cili ishte duke vizituar shtetin – të merrte në Ukrainë pesë komandantë që Rusia dërgoi në Turqi. Ky ishte një këmbim i madh të burgosurish.

Komandantët ishte paraparë të qëndronin në Turqi dhe Kremlini paralajmëroi se kjo gjë “do të merret parasysh në marrëveshjet e ardhshme” me Erdoganin.

Megjithatë, Moska dhe Kievi tani po kërkojnë mbështetjen e Erdoganit sa i përket mosmarrëveshjeve të tyre për eksportin e drithërave dhe armiqësive në Detin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë