Gazeta Si – Në Gabon, një grup prej rreth dhjetë ushtarësh njoftoi në një deklaratë për shtyp të lexuar në kanalin televiziv shtetëror Gabon 24 anulimin e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e “të gjitha institucioneve të Republikës” të vendit të Afrikës Qendrore.
Autoriteti kombëtar zgjedhor sapo kishte shpallur rizgjedhjen, me 64,27% të votave, për mandatin e tretë të presidentit të Gabonit, Ali Bongo Ondimba, në pushtet prej 14 vitesh.
Opozita i cilësoi menjëherë zgjedhjet si të manipuluara. Përmbysja e presidentit do t’i jepte fund pushtetit 53-vjeçar të familjes së tij në Gabon.
“Ne kemi vendosur të mbrojmë paqen duke i dhënë fund regjimit aktual” të shkaktuar nga “një qeveri e papërgjegjshme dhe e paparashikueshme që shkakton një përkeqësim të vazhdueshëm të kohezionit social që rrezikon ta çojë vendin në kaos”, deklaroi një nga ushtarët që u shfaq në TV. duke folur në emër të “Komitetit për Tranzicionin dhe Rivendosjen Institucionale”.
Pas shpalljes së grushtit të shtetit, u raportuan të shtëna me armë zjarri në kryeqytetin e Gabonit, Libreville.
Ushtria gjithashtu ka vendosur të “mbyllë kufijtë deri në një njoftim tjetër”.
Nëse është i suksesshëm, atëherë ky do të jetë grusht shteti i tetë në Afrikën Qendrore dhe Perëndimorë që nga viti 2020. Puçet në Mali, Guineja, Burkina Faso, Çad dhe Niger e kanë minuar përparimin demokratik në vitet e fundit.
Muajin e kaluar, ushtria e kapi pushtetin në Niger, duke e tronditur rajonin e Sahelit dhe vetë fuqitë globale, interesat e të cilave janë në rrezik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



