Filma

Si do të jetë Festivali i Filmit në Venecia mes grevës së aktorëve të Hollivudit

Javët e fundit ka pasur pak përparim në negociatat mes studiove dhe skenaristëve dhe aktorëve të Hollivudit dhe nuk është arritur asnjë marrëveshje që do të lejonte përfundimin e dy grevave. Për momentin, piketat e përditshme vazhdojnë përpara selisë së studiove kryesore të prodhimit dhe platformave kryesore të transmetimit. I vetmi propozim për një zgjidhje që mbërriti nga producentët javën e kaluar u gjykua si i pamjaftueshëm nga skenaristët dhe gjithçka ka ngelur pezull kur nga ana tjetër sot (e mërkurë 30 gusht) fillon Festivali i Filmit në Venecia, dhe do të përfundojë të shtunën më 9 shtator.

Greva e skenaristëve dhe aktorëve do të thotë jo vetëm që nuk po shkruhen skenarë të rinj dhe nuk po aktrohen ato të realizuara, por edhe që aktorët dhe aktoret po përmbahen nga çdo aktivitet promovues për filmat e përfunduar. Dhe kjo përfshin pjesëmarrjen në ngjarje si festivale. Sidoqoftë, në një mënyrë apo tjetër, Festivali i Filmit në Venecia do të arrijë të mos jetë plotësisht i lirë nga yjet e Hollivudit.

Festivali në edicionet e fundit ka arritur një status të tillë që çdo produksion që prezanton filma të sjellë të gjithë aktorët kryesorë dhe të gjithë regjisorët, madje edhe ata më të mëdhenjtë. Vetëm një dekadë më parë nuk ishte e garantuar për të gjitha prodhimet. Gjithashtu për këtë arsye atraktiviteti i festivalit ndaj yjeve amerikanë është bërë një nga pikat e forta të tij kryesore: ai nuk është vetëm një ngjarje kulturore përkatëse, por edhe një ngjarje e rëndësishme mediatike, e aftë për të tërhequr fotografë, sponsorë, diskutime dhe gjithçka që prezenca e shumë yjeve sjell me vete. Prandaj, ndikimi dhe rëndësia e një festivali pa aktorë dhe aktore të famshme do të reduktohej në mënyrë të dukshme.

Megjithatë, ky eventualitet u shmang nga prania në Venecia e një numri të mirë filmash të pavarur amerikanë, d.m.th filma të pafinancuar nga shtatë studiot kryesore të bashkuara në shoqatën AMPTP (Disney, Prime Video, Warner, Sony/Columbia, Universal, Netflix, Paramount) kundër të cilit aktorët dhe skenaristët po bëjnë grevë. Filmat e pavarur prodhohen nga kompani më të vogla, kontratat e të cilave janë të ndryshme nga kontratat standarde të studios. Këto kompani më pas mund të aplikojnë tek sindikata e aktorëve (SAG-AFTRA) për një leje speciale, e cila, nëse jepet, lejon që yjet të promovohen rregullisht.

Sindikata vlerëson situatën, mundësinë dhe sa ka pasoja të mundshme ngjarja apo aktiviteti për të cilin kërkohet leja nga të cilat mund të përfitojnë edhe studiot. Por, po vlerësohet edhe e kundërta, se sa mund të jetë e dëmshme anashkalimi i aktivitetit në fjalë për kompanitë prodhuese që nuk kanë probleme me aktorët, dhe kanë lidhur marrëveshje me ta që sindikata i miraton.

Gjatë muajit që kaloi nga shpallja e programit të Festivalit deri në fillimin e tij, u kërkuan leje dhe për momentin është e sigurt që filmat e mëdhenj të pavarur të paraqitur i kanë marrë ato. Variety shkroi se, ndër më të famshmit, do të jenë Adam Driver, protagonist i Ferrari të Michael Mann, Jessica Chastain për Memory tw Michel Franco (roli i saj i parë që nga fitimi i Oscarit), një nga aktorët më të rëndësishëm në zhvillim, Caleb Landry Jones për Dogman tw Luc Besson, Mads Mikkelsen për The Promised Land, Lily James për filmin italo-amerikan Finalmente l’alba nga Saverio Costanzo. Ndër ata pak më pak të famshëm, do të jenë Cailee Spaeny dhe Jacob Elordi, të cilët luajnë Elvis Presley dhe vajzën e tij Priscilla në filmin Priscilla të Sofia Coppola.

Me siguri do të mungojnë yje si Bradley Cooper, aktor por edhe regjisor i Maestro, filmi për Leonard Bernstein prodhuar nga Netflix. Cooper ndoshta mund të kishte marrë pjesë në cilësinë e tij të vetme si regjisor i filmit, por ky veprim do të ishte kundërshtuar ende nga sindikata e aktorëve. Nuk do të ketë Emma Stone për Povere creature! nga Yorgos Lanthimos, prodhuar nga një kompani e grupit Disney, as nuk do të ketë Michael Fassbender dhe Tilda Swinton për The Killer nga David Fincher, prodhuar nga Netflix.

Filmi që supozohej të hapte festivalin, Challengers nga Luca Guadagnino me Zendaya (prodhuar nga MGM, blerë së fundmi nga Amazon), u tërhoq më pas kur filloi greva. Si në të gjitha edicionet e festivalit, lista e pjesëmarrësve është fleksibël dhe rregullohet vazhdimisht deri në ditën e mbërritjes.

Nëse vitet e fundit festivali i Venecias kishte arritur të siguronte të paktën një emër të madh në ditë, këtë herë do të ketë disa ditë pa yje, por në përgjithësi mungesa nuk duhet të perceptohet shumë.

Për filmat, të mos mund të promovohen plotësisht në Festivalin e Filmit në Venecia është një problem më i madh sesa mund të duket. Për vite me radhë, festivali është konsideruar si platforma e nisjes për fushatat Oscars, të cilat nisin në vjeshtë me një seri të gjatë eventesh, manifestimesh, festash dhe mundësish reklamash për të marrë numrin më të madh të nominimeve dhe më pas për të fituar.

Akademia, kompania që menaxhon sistemin e votimit dhe organizon mbrëmjen e çmimeve të planifikuar për më 10 mars 2024, ka njoftuar se ka anuluar një sërë aktivitetesh në festivalet e Amerikës së Veriut të Telluride dhe Torontos, të cilat zhvillohen në fillim të shtatorit. Sinjali i bën shumë të mendojnë se këtë vit promovimi në funksion të Oscars do të nisë më vonë.

Greva e aktorëve, e cila për sa i përket marketingut ka një ndikim më të madh se ai bashkëkohor i skenaristëve, tashmë e ka bërë Warner të shtyjë shfaqjen e Dune 2, filmit fantastiko-shkencor me Timothée Chalamet dhe Zendaya, nga kjo vjeshtë në 2024. Lëvizja i lë kinematë të pambrojtura, të cilave do t’u mungojë një burim i madh të ardhurash gjatë asaj periudhe. Filma të tjerë blockbuster me ambicie Oskari dhe të planifikuar për t’u shfaqur në mbarë botën këtë vjeshtë, si Napoleon i Ridley Scott ose Killers of the Flower Moon i Martin Scorsese, ende nuk janë zhvendosur. Por ende ekziston frika se sezoni i vjeshtës mund të sjellë më pak pjesëmarrje të përgjithshme në kinema sesa pritej.

Përfundimi i grevës dhe për këtë arsye një marrëveshje mes palëve për momentin duket ende larg. Më 22 gusht, studiot shpalosën propozimin e tyre të parë konkret që kur diskutimet me homologët u ndërprenë rreth një muaj më parë. Marrësi i propozimit ishte sindikata e skenaristëve, e cila u bë agjitacion para atij të aktorëve dhe që kaloi kufirin simbolik prej 100 ditësh proteste, diçka që kishte ndodhur rrallë në historinë e saj. Propozimi u refuzua me forcë, pavarësisht se përmban përparim në tri çështjet kryesore që i mbajnë negociatat në pritje.

Studiot fillimisht propozuan një rritje të pagave dhe të honorarëve për filmat me fitime më të larta. Pastaj ata propozuan një sistem të ri për trajnimin e skenaristëve, në mënyrë që ata të bëhen drejtues të shfaqjes (d.m.th. ata skenaristë që jo vetëm shkruajnë episodet e një seriali, por mbikëqyrin të gjitha aspektet e tij, referentët artistikë të projektit), dhe të promovojë dy skenaristë nga çdo grup shkrimi i filmave dhe serialeve në rolin e producentëve.

Sindikata e skenaristëve (WGA), në një letër dërguar anëtarëve të saj, shpjegoi se i kishte hedhur poshtë këto propozime, duke i gjykuar të pamjaftueshme në të gjitha frontet dhe plot shprehje të paqarta dhe çfarë ata përcaktojnë si “kurthe”. Për shembull, nga ana e honorareve në lidhje me transmetimin, AMPTP nuk ka bërë ndonjë referencë specifike për shumën e tyre, por vetëm për mundësinë e zbulimit të të dhënave, pra thjesht duke treguar bazën mbi të cilën duhet të llogariten.

Për sa i përket inteligjencës artificiale, kërkesa është që skriptet e anëtarëve të WGA të mos përfshihen në arkivin nga i cili nxjerr teknologjia për të gjeneruar të reja dhe nuk përmendej kjo. Së fundi, në planin e punësimit, kërkesa kryesore që nuk është plotësuar është që të ketë një minimum skenaristësh në çdo prodhim, në vend që të shpërblehen pak dhe vetëm për produksionet më të pasura, me akses në një status më të lartë dhe më të paguar.

Sipas skenaristëve, studiot nuk kanë dashur të diskutojnë propozimet, por kanë dashur që ato të pranohen ashtu siç kanë qenë. /Il Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë