Kombetarja

Arlind Ajeti nuk është vetëm një hipotezë, Silvinjo po e mendon seriozisht ftesën

Gazeta Si – Mes risive të listës së trajnerit Silvinjo për dy ndeshjet e muajit shtator ndaj Çekisë dhe Polonisë mund të jetë edhe grumbullimi i mbrojtësit Arlind Ajeti. Do të ishte një rikthim për mbrojtësin 29-vjeçar që aktualisht luan në Rumani me CFR Cluj.

Ajeti po kalon një formë shumë të mirë, ka qenë mjaft i rëndësishëm për klubin e tij dhe trajneri i Kombëtares po e mendon seriozisht grumbullimin e tij për kualifikueset e radhës, që janë vendimtare për objektivin e Euro 2024.

Arlind Ajeti ne nje grumbullim kuqezi. Gazeta Si, 25 gusht 2023

Mbrojtësi shihet si një kandidat shumë i fortë për të qenë në listën e trajnerit brazilian. Pritet po ashtu që të grumbullohen për herë të parë me kuqezinjtë sulmuesit Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, sidomos i pari ka më shumë shanse.

Kujtojmë që Ajeti ka qenë pjesë e Kombëtares për shumë kohë, që nga viti 2014. Ai numëron 21 ndeshje me fanellën kuqezi dhe 1 gol të shënuar. Mbrojtësi ka luajtur në kampionate të ndryshme, si në Zvicër, në Itali dhe në Serinë A madje me Torinon, në Danimarkë dhe tani në Rumani.

Eksperienca e Arlind Ajetit mund t’i shërbejë trajnerit Silvinjo për dy sfidat vendimtare të shtatorit. Në mbrojtje do të mungojë sërish Kumbulla, i cili nuk është rikuperuar nga dëmtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë