Bota

Trump shfaqet në burgun e Atlantës për arrestim, por lirohet pas garancisë pasurore

Gazeta Si – Donald Trump iu dorëzua autoriteteve të Xhorxhias të enjten në mbrëmje në burgun famëkeq të Atlantës dhe iu komunikua masa e arrestit zyrtarisht për 13 akuza, duke përfshirë konspiracion dhe shkelje të ligjit, i akuzuar për përpjekje për të përmbysur votën në Xhorxhia në vitin 2020.

Për të kjo është aktakuza e katërt me po aq arrestime, por në këtë rast për herë të parë i është marrë edhe gjurmimi i gishtave si një kriminel i zakonshëm.

Por Trump e shmangu qelinë falë një garancie prej 200,000 dollarësh dhe ndalimeve të rrepta për të folur me dëshmitarët dhe bashkë-pandehurit ose për t’i kërcënuar ata, përfshirë përmes mediave sociale.

Asnjë tolerim, megjithatë, në praktikën e arrestimit, as në atë fotografi të shkrepur me vulën e sherifit që njollos imazhin e kujtdo.

Imazhi më pas u rilançua nga vetë miliarderi në “X”, një rrjet social në të cilin ai nuk kishte postuar që nga 8 janari 2021, me mbishkrimin: “Kurrë mos u dorëzo”.

I burgosuri me numrin P01135809 është pikërisht Donald Trump, jo i buzëqeshur por duke parë drejt kamerës i inatosur. Është ky përshkrimi në të dhënat e burgut të Fulton.

Por Trump qëndroi aty vetëm 20 minuta pasi u lirua me kusht duke vendosur një garanci pasurore prej 200 mijë dollarësh.

Ndërkohë, jashtë godinës ku Trump po mbahej i arrestuar ishin mbledhur simpatizantët e ish-Presidentit amerikan.

Ky është arrestimi i katërt në 5 muaj i Donald Trump. 77-vjeçari është ish-Presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale. Por Trump duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Ai po garon brenda republikanëve për të dalë sërish kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane për të sfiduar Joe Biden.

Për çështjen e zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, bashkë me Trump janë akuzuar edhe 18 persona të tjerë, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit, të cilët u arrestuan, mes të cilëve dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Giuliani.

Të gjithë u liruan me kusht, përveç një bashkëpunëtori të Trump i cili iu dorëzua autoriteteve pa bërë marrëveshje për lirim me kusht.

Trump u akuzua se kishte ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia në vitin 2020 pas humbjes së tij ndaj rivalit Biden me më pak se 12 mijë vota në këtë shtet.

Ish-Presidenti është dëgjuar në një telefonatë duke i bërë presion komisionerit më të lartë të zgjedhjeve në Giorgia për të gjetur 11,780 vota gjatë numërimit të votave.

Ndër akuzat me të cilat përballet Trump janë shantazhi, nxitja e një zyrtari shtetëror për të shkelur betimin, komplot, komplot për të kryer falsifikim dhe deklarata të rreme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë