Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, i njoftoi ministrat për takimet në Greqi, ku ishte i ftuar për një darkë joformale të liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor nga homologu i tij grek, Mitsotakis.
Kurti tha se gjatë darkës ka theksuar se “anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë”.
“Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE, duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. Dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke de jure e de facto, si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, tha Kurti.
Kurti shtoi se në takimet bilaterale ka folur për “progresin ekonomik” dhe “rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë”.
“Deeskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur”, tha ai, duke shtuar se Kosova po e respekton marrëveshjen me BE-në.
Ai gjithashtu tha se për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Greqisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




