Kombetarja

Broja thuasje gati për Çelsin, shtohen shanset për ta pasur ndaj Çekisë dhe Polonisë

Gazeta Si – Armando Broja është kthyer në stërvitje të plotë me Çelsin, që po përgatitet për ndeshjen me Luton. Sulmuesi kuqezi po stërvitet me grupin tashmë dhe shumë shpejt do të jetë gati për të luajtur në kampionat, çka shton shpresat që ai të jetë me Kombëtaren shqiptare për ndeshjet e shtatorit.

Futbollisti 21-vjeçar ishte jashtë fushave prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur pësoi dëmtimin e rëndë dhe u detytrua të kryente ndërhyrje kirurgjikale në ligamentin e gjurit. Tani Broja po stërvitet njësoj me lojtarët e tjerë dhe ndaj Lutonit mund të jetë në stol.

Armando Broja ne stervitje. Gazeta Si, 23 gusht 2023

Për rikthimin në fushë lojtari shqiptar ka bërë edhe një postim në faqen e tij në Instagram, ku shkruan: “Për t’u dukur mirë para mijërave, duhet të stërvitesh me mijëra para askujt”. Broja shfaqet në një foto përkrah blerjeve të reja të Çelsit, Ugoçuku, Santos dhe Kaisedo.

Broja ndërkohë lakohet çdo ditë në merkato, si një pistë e mundshme për disa klube angleze, apo për Milanin dhe Romën. Përveç Uest Hemit, që gjithmonë e ka dashur sulmuesin kuqezi, tani është edhe Fulhemi që kërkon shërbimet e tij. Megjithatë, trajneri Poçetino ka pohuar se beson te Broja.

Shqipëria luan në shtator dy ndeshje shumë të rëndësishme kualifikuese të Euro 2024 dhe prania e Brojës është në pikëpyetje. Tani që ai po stërvitet me ritmin e skuadrës, ndoshta ka më shumë shpresa që trajneri Silvinjo ta ketë në dispozicion për sfidat me Çekinë dhe Poloninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë