Kosova

Kurti takohet me Mitsotakis, e fton për vizitë në Kosovë dhe për më shumë investime

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme është pritur nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis, në pallatin “Maximos”, me të cilin pati një takim dypalësh.

“Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira, të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucionalë të të dyja shteteve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.

Në njoftim theksohet se në këtë takim Kurti e Mitsotakis kanë diskutuar edhe për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe për dialogun me Serbinë.

“Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje, porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të shtensionuar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-shtensionimit nga elementë të dhunshëm”, bën të ditur Zyra e Kryeministrit.

Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kurti e ftoi Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë