Ka ndodhur

Pronarët e restorantit në Berat falënderojnë Melonin që pagoi faturën e turistëve: Paratë do t’i ruajmë për ‘syrin e keq’

Pronarët e restorantit në Berat, që së fundmi u bënë të njohur pasi denoncuan se si disa turistë italianë kanë ikur nga lokali i tyre pa paguar, kanë bërë këtë të shtunë një reagim publik, pasi thonë se kishin interes shumë të madh nga mediat, por kanë refuzuar që të japin intervista. Videoja ku turistët italianë ikën nga restoranti në Berat pa paguar faturën u bë virale, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali. Kjo ka nxitur interesin e mediave edhe në vendin fqinj pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kur u njoh me historinë, urdhëroi stafin diplomatik të ambasadës që të kryejë pagesën me lekët që vetë kryeministrja ka nxjerrë nga xhepi.

Ata kanë falënderuar kryeministren italiane për pagesën, ndërsa kanë treguar se paratë do t’i ruajnë si kujtim e kundër syrit të keq. Për pronarët, gjithë kjo ‘zhurmë’ shërbeu për mirë, pasi iu bë një publicitet i madh Beratit.

“Gazetarët dhe kanalet televizive shqiptare dhe italiane na kanë kontaktuar, por nuk kemi lejuar asnjë intervistë. Ata turistë italianë që ikën pa paguar na kanë bërë një publicitet të madh për qytetin tonë. Le t’i falënderojmë! Tashmë e thamë se kjo nuk ishte problem pasi italianët janë në shtëpi, shumë prej tyre vijnë si familjarët tanë në Itali kur emigruam. Ne urojmë që ta kenë shijuar ushqimin. Shpresojmë që ato para t’i kenë shpenzuar për diçka të bukur!
Falënderojmë përzemërsisht Georgia Meloni, një zonjë e vërtetë! Ne nuk jemi të pasur, ne punojmë shumë si familje, nuk bëjmë aq shumë sa të mos të na bëjnë përshtypje ato para! Por kjo nuk është çështje parash për ne dhe jemi shumë të prekur nga gjesti i saj! Një shembull i shkëlqyer dinjiteti nga një nënë e mirë strikte që i jep shembull shtëpisë së saj! Georgia e madhe! E duam shumë edhe si gjysmë italiane qe jemi! Na nderoi shume me ardhjen në pushime në Vlorë!
Në foto janë paratë që na u dërguan me ambasadë. Ata do të qëndrojnë këtu në restorant si një kujtim i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu kundër syrit të keq. Faleminderit kryeministrja Meloni Viva Itali Viva Albania!’, shkruan Gabriela Kadena pronare e e restorant Guvës Mangalem.

Ambasada Italiane në Tiranë bëri të ditur se Meloni kishte paguar faturën e turistëve italianë. Pas reagimeve në Itali, edhe vetë kryeministrja italiane ka bërë një reagim në rrjetin e saj social Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë