Kosova

VV nis procedurë disiplinore ndaj asamblistit Mujeci që u kap me mbi 11 mijë doza ekstazi në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’-Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kanë filluar procedurë disiplinore ndaj asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili u kap me mbi 11 mijë doza ekstazi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka.

Ai ka thënë se kanë filluar procedurë disiplinore dhe komisioni disiplinor i VV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin.” – ka thënë ai.

Mujeci është në mesin e pesë personave të arrestuar nga Policia e Shqipërisë për përfshirje në kotrabandë të drogës.

Kreu i Drejtorisë së Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, tha se janë sekuestruar 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5 kg dhe me vlerë tregu rreth 400 mijë euro, që vinin nga Kosova nëpërmjet linjës së autobusëve të pasagjerëve Prishtinë-Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë