Libra

‘Ti dhe Universi’, libri i ri për fëmijë i Stephen Hawking do të dalë në vitin 2024

Një libër i ri me ilustrime për fëmijë nga Stephen Hawking (1942-2018) do të botohet në Mbretërinë e Bashkuar gjashtë vjet pas vdekjes së fizikanit teorik, më i famshëm për studimet e tij mbi vrimat e zeza, kozmologjinë kuantike dhe origjinën e universit.

“Ti dhe Universi”, ky është titulli i vëllimit që do të botohet më 26 mars 2024 nga botuesi Puffin, që është bashkëshkruar nga vajza e astrofizikanit të famshëm britanik, Lucy Hawking dhe ilustruar nga Xin Li.

“Libri do të frymëzojë fëmijët të bëjnë pyetje të mëdha rreth Tokës dhe kozmosit”, tha një zëdhënës i botuesve Puffin për gazetën londineze “The Guardian”. Libri është një përshtatje e mesazhit pas vdekjes së Stephen Hawking për Ditën e Tokës 2020, orientuar fillimisht drejt vrimës së zezë më të afërt të njohur në qershor 2018 pas shërbimit të tij përkujtimor.

Bazuar në fjalët e Hawking, libri do të fokusohet në zgjidhjen e sfidave të mëdha, rolin e shkencës dhe teknologjisë dhe të ardhmen e njerëzimit.

“’Ti dhe Universi’ është një libër imagjinativ dhe gjithëpërfshirës që sjell në jetë veprën e jashtëzakonshme shkencore të babait tim për lexuesit e të gjitha moshave, - tha Lucy Hawking në një publikim. - Ai do të magjepsë të rinjtë dhe do të zgjojë kureshtjen e tyre për universin që ne banojmë”.

Stephen Hawking ka botuar një numër librash, të cilët janë bërë edhe bestseller. I konsideruar ndryshe si trashëgimtar i Ajnshtajnit, Hawking revolucionarizoi fizikën me teoritë e veta të hapësirë-kohës, Big Bangun dhe rrezatimin e vrimave të zeza që i pasqyroi në “Historia e shkurtër e kohës” të publikuar në 1988 dhe që njohu sukses në të gjithë botën me 25 milionë kopje të shitura. Është i njohur edhe si divulgues shkence, i njohur për teoritë e tij mbi vrimat e zeza dhe për universin.

Ai gjithashtu ka bashkëpunuar me vajzën e tij në një seri librash për fëmijë, duke filluar me “Çelësi sekret i universit”, botuar në vitin 2007. Mesazhi përfundimtar i Hawking, i transmetuar nga një pjatë satelitore e Agjencisë Evropiane të Hapësirës në Cebreros, Spanjë, u bëri thirrje njerëzve të punojnë së bashku dhe të ushtrojnë “tolerancë dhe respekt”.

Libri vjen i rrëfyer nga Hawking dhe shoqëruar me muzikë nga kompozitori grek Vangelis. “Ky libër i veçantë me figura të fjalëve të Stephen Hawking, i shpjeguar në mënyrë të përsosur për lexuesit e vegjël, do të frymëzojë fëmijët kudo që të shikojnë lart dhe të mrekullohen me botën përreth tyre”, tha Drejtoresha Menaxhuese e Puffin, Ruth Knowles.

Profesor Stephen Hawking, i cili ishte kreu i matematikës në Universitetin e Kembrixhit për më shumë se tridhjetë vjet, zbuloi në moshën 21-vjeçare se ai vuante nga sëmundja degjenerative e neuroneve motorike, ndoshta një formë e rrallë dhe progresive e sklerozës laterale amiotrofike.

I lidhur me palëvizshmërinë fizike dhe i paaftë për të folur në mënyrë të pavarur, që nga vitet 1980, Hawking u detyrua të lëvizte në një karrige me rrota dhe të komunikonte me një sintetizues vokal. Pavarësisht kësaj, imazhi i tij publik, i ndërmjetësuar nga paraqitjet e shumta në dokumentarë dhe transmetime televizive, është kthyer në një nga ikonat e njohura të shkencës moderne, siç i ndodhi në të kaluarën Albert Ajnshtajnit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë