Filma

Dokufest në Prizren / Edicioni i 22, jo vetëm kulturë por edhe protestë nga Bashkësia Islame

Ndonëse prej vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, Dokufest e gjallëron Prizrenin çdo fillim gushti, edicioni i 22-të për herë të parë u shoqërua edhe me kundërshti e protestë.

Qindra qytetarë të Prizrenit në Kosovë të premten e 11 gushtit u grumbulluan në sheshin kryesor të qytetit historik në shenjë proteste kundër ‘Doku Fest’, ku shkak për këtë protestë u bë paraqitja e një filmi në mbrojtje të transgjinorëve në hapjen e këtij aktiviteti, gjë që nuk është pranuar nga qytetarët e Prizrenit.

Sipas protestuesve, ky aktivitet tentoi të përdhosë kulturën e Prizrenit, e për këtë kërkuan që të tilla gjëra të mos lejohen të ndodhin në qytetin me shumicën dërrmuese të besimit Islam.

Thirrja për protestë u bë nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Në protestë mbajti fjalim imami Besim Berisha, i cili edhe e organizoi protestën.

“Si qytetarë të Prizrenit deklarojmë se performanca që është shfaqur nuk përkon assesi me traditën dhe kulturën tonë. Edhe nëse organizatorët, ahengjet e netëve të vona me dehje alkoolike e pirje narkotike të të rinjve i quajnë argëtim kurse performancat erotike i quajnë kulturë ato nuk janë asgjë tjetër vetëm se degjenerim”, ka thënë Berisha.

“Ne kemi shqetësime prindërore pasi jemi prindër dhe fëmijët tonë rrezikohen të bien pre e organizimeve degjeneruese nga ato që i pamë dhe i përjetuam dhe potencialisht të tjerave që mund të vijnë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha në një reagim se ka ndodhur një sulm ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi, gjatë protestës më 11 gusht në Prizren.

“Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, shkroi AGK në Facebook.

Qytetarët u mblodhën në Sheshin Shatërvan teksa mbanin në duar mbishkrimet: “Dokufest i keq”, “Jo degjenerimit”, “Drogën larg fëmijëve tanë”, “Prizreni, qytet i historisë”, e të tjera.

Në nisje të edicionit të sivjetmë të festivalit, grupi kanadez “Peaches”, realizoi një performancë në mbrojtje të transgjinorëve, por edhe të fenomeneve të tjera që mund të konsiderohen tabu në shoqëri.

Organizatorët e festivalit u kanë thënë mediave lokale në Kosovë, se në hapje kanë marrë pjesë vetëm personat që kanë pasur bileta, dhe të gjithë kanë qenë mbi moshën 18-vjeçare.

Temë e edicionit të sivjetmë të Dokufestit, ishte inteligjenca artificiale me moton: “Unë jam inteligjenca artificiale, a jam”.

Këtë vit nga 230 filma që u shfaqën në tetë kinema dhe gjysma prej tyre në qiell të hapur, 104 prej tyre garuan në tetë kategori.

Filmi mbyllës i Dokufest do të jetë “Blade Runner”, i cili është vlerësuar si një nga filmat më të mirë të zhanrit fantastiko-shkencor i të gjitha kohërave.

Dokufesti këtë vit i hapi dyert më 4 gusht, ndërsa përfundoi më 12 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë