Bota

Bakteri i rrezikshëm largon azilkërkuesit nga kontenierët në anije në Britani

Gazeta Si – Azilkërkuesit në Britaninë e Madhe po largohen nga kontenierët “Bibby Stockholm”, pasi në sistemin e ujit të anijes është gjendur bakteri ‘Legionella’. Me këtyre azilkërkuesve ka edhe shqiptarë.
Azilkërkuesit mund të dërgohen në një zonë të re si masë paraprake. Takime për këtë situatë do të zhvillojë edhe Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick.

‘Legionella’ është një bakter që gjendet zakonisht në ujë dhe mund të shkaktojë infeksion të rëndë të mushkërive. Ndryshe njihet si ‘sëmundja e legjionarëve’. Asnjë nga personat në kontenierë nuk ka shfaqur shenja të këtij infesksioni.

Testi i furnizimit me ujë u krye fillimisht më 25 korrik, por rezultatet nuk u kthyen deri më 7 gusht, kur azilkërkuesit nisën të hipnin në maune. Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha se ‘shëndeti dhe mirëqenia e atyre që janë në bordin e anijes është përparësia jonë më e madhe’.

“Mostrat nga sistemi i ujit në ‘Bibby Stockholm kanë treguar nivele të baktereve, që kërkojnë hetime të mëtejshme”, – tha gjithashtu zëdhënësi.

“Pas këtyre rezultateve, Zyra e Brendshme ka punuar ngushtë me UKHSA dhe ka ndjekur këshillat e saj në përputhje me proceset e vendosura prej kohësh të shëndetit public, duke siguruar i përmbahet i gjithë protokolli nga ekipi i shëndetit mjedisor i Këshillit Dorset dhe Dorset NHS. Si masë paraprake, të 39 azilkërkuesit që mbërritën në anije këtë javë po largohen, ndërkohë që po kryhen vlerësime të mëtejshme.

Asnjë individ në bord nuk është paraqitur me simptoma dhe azilkërkuesve po u ofrohet këshilla dhe mbështetja e duhur. Mostrat e marra kanë të bëjnë vetëm me sistemin e ujit në anije dhe për këtë arsye nuk përmbajnë asnjë tregues të drejtpërdrejtë të rrezikut për komunitetin më të gjerë të Portland dhe as nuk kanë të bëjnë me ujin e ëmbël që hyn në anije. ‘Sëmundja e legjionarëve’ nuk përhapet nga personi në person”, – ka shtuar më tej.

15 azilkërkuesit e parë hipën në “Bibby Stockholm” të hënën dhe një numër i vogël mbërriti gjithashtu të martën. Disa refuzuan të hipnin në anije mes paralajmërimeve nga Zyra e Brendshme se do të përballeshin me heqjen e mbështetjes nga qeveria.

Dr. Pankhania tha se sëmundja ka shumë të ngjarë të jetë përhapur përmes dusheve të përdorura në anije. Kapaciteti i anijes me kontenierë është më shumë se 500 dhe është vlerësuar nga qeveria si një pengesë kundër kalimeve me varka të vogla drejt Britanisë.

Plani për të përdorur kontenierë të përshtatura për banim dhe objekte ushtarake të pashfrytëzuara janë shoqëruar me protesta nga politikanë dhe shoqatat humanitare, siç raporton ‘Al Jazeera’. Ata e kanë përshkruar strehimin për njerëzit që vijnë nga vende si Iraku, Irani, Siria, Afganistani apo Shqipëria si, çnjerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë