Kosova

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe 5 personave në veri. Policia e Kosovës i arreston për sulm, kontrabandë dhe posedim të narkotikëve

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar pesë persona në Zubin Potok ndërsa gjatë tentimit për ndalim kishte shkëmbim zjarri në drejtim të policisë.

Personat ishin ndaluar nën dyshimin për kontrabandë me mallra, ka konfirmuar zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit në rrethinën e komunës së Zubin Potokut, policia ka has në një komion dhe disa vetura të cilat besohej se kontrabandonin mallra. Gjatë tentimit për ndalim ka pas shkëmbim me armë zjarri por nuk ka të plagosur. 5 persona janë arrestuar, ndërsa janë konfisku kombi dhe tri vetura”, ka Elshani.

Në një kanal tjetër në gjuhën serbe, të quajtur “Patriotizam”, në Telegram është përmendur se serbët dyshohet se kanë tentuar të dërgojnë furnizime në veri të Kosovës përmes rrugëve alternative, dhe kanë pyetur nëse transportimi i “produkteve ushqimore bazike është arsye për të shtëna, apo që dikush të goditet”.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tri makina dhe një kamion janë konfiskuar, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Rasti është duke u iniciuar si sulm ndaj zyrtarëve policorë, kontrabandë me mallra, dhe posedim i narkotikëve.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka konfiskuar mallra kontrabandauese, lëndë narkotike dhe armë në pjesën veriore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë