Treg

Kërkesa globale për naftë arrin nivel rekord. Çmimet mund të rriten sërish

Kërkesa globale për naftë ka prekur nivele rekord dhe mund të rritet më tej në gusht, duke kërcënuar një rritje tjetër të çmimeve, deklaroi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë(IEA).

Kërkesa arriti një rekord prej 103 milionë fuçi në ditë në qershor, e nxitur nga rritja ekonomike më e shpejtë se sa pritej në vendet e Organizatës për Zhvillimin dhe Bashkëpunim Ekonomik, fluturimet e shumta gjatë verës dhe rritja e konsumit të naftës në Kinë.

Konsumi mund të arrijë një tjetër kulm këtë muaj dhe është në rrugën e duhur për mesatarisht 102.2 milionë fuçi në ditë në 2023-shin, niveli më i lartë vjetor ndonjëherë, sipas parashikimit të IEA, me 70 për qind të rritjes që vjen nga Kina.

Kërkesa në vitin 2024 ka të ngjarë të rritet përsëri, por me një ritëm më të ngadaltë, shtoi IEA.

Ndërkohë, çmimet e naftës janë rritur më shumë se 15% që nga fillimi i korrikut, falë kërkesës së fuqishme dhe perspektivës për shtrëngim të ofertës globale, ndërsa anëtarët kryesorë të OPEC+ Arabia Saudite dhe Rusia vazhdojnë të frenojnë prodhimin dhe eksportet.

Të enjten, 10 gusht, standardi ndërkombëtar i naftës bruto Brent u rrit mbi 88 dollarë për herë të parë që nga 27 janari. Aktualisht tregtohet mbi 86 dollarë për fuçi.

Në korrik, furnizimi me naftë nga aleanca OPEC + ra me 1.2 milion fuçi në ditë në nivelin më të ulët pothuajse dy-vjeçar pasi hyri në fuqi një reduktim vullnetar nga Arabia Saudite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë