Kosova

Heqja e masave nga BE, Stano mesazh Kurtit: Jeni në rrugën e duhur, por duhen veprime të tjera

Gazeta Si – Brukseli ka vlerësuar hapat më të fundit të Prishtinës zyrtare që çuan në shtensionimin e situatës, por kërkon që të ndërmerren ende veprime të tjera.

Ky ka qenë një reagimi i zëdhënësit të BE-së, Peter Stano sa i përket kërkesës së kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e masave nga BE, si dhe pas letrës së nënshkruar nga 56 politikanët më në zë që kërkojnë që ushtrohet më tepër presion Serbisë se sa ndaj Kosovës.

Zëdhënësi Stano nënvizoi sot se të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se si Prishtina e Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në procesin e rregullt të bisedimeve.

“Këta janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen ndaj VOA.
Sa i përket letrës së 56 ligjvënësve që i drejtohet Borrell, Stano tha se po shqyrtohet.

“E tëra që mund të them sa i takon kësaj çështjeje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive”, tha zoti Stano.

Ndërsa për presionet e pakta ndaj Beogradit, Stano theksoi se qasja e BE është e paanshme. “Ajo që kemi bërë më së fundi në dritën e përshkallëzimeve që ndodhën është vendosja e disa masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha zoti Stano duke theksuar se “nëse vendet anëtare kërkojnë diçka të tillë ne do të vendosim masat e nevojshme edhe kundër Serbisë nëse pra këto vende anëtare vlerësojnë se në kushtet dhe kontekstin aktual të krizës së fundit Serbia nuk po bën asgjë për të ulur tensionet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë