Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron e pasurisë së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në lidhje me hetimet e SPAK-ut për aferën e inceneratorëve.
Nga arratia, nëpërmjet avokatit të tij, ai kërkoi në Apel kthimin e apartamentit në zonën e Shallvareve që iu sekuestrua nga SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryen për 3 vepra penale.
Pak javë më parë, me vendim të gjykatës dhe kërkesë të SPAK, Ahmetajt iu vunë në sekuestro edhe 6 pasuri, 4 apartamente dhe 2 llogari bankare në shumën e 124 300 euro.
Ndaj Ahmetajt ka një urdhërarrest ndërkombëtar me masë dhënë në mungesë “arrest në burg” për veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Më 14 korrik, Parlamenti miratoi me 117 vota, kërkesën e prokurorëve për masën e arrestit ndaj Ahmetajt dhe kontrollin e banesës.
Ende nuk dihet vendndodhja e tij, ndërsa avokati i ish-zyrtarit të PS-së deklaroi se klienti i tij ishte në Britaninë e Madhe pranë familjes.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar prona dhe shuma monetare në 6 episode të faktuara nga biznesmenët, në këmbim të përfshirjes së tyre në aktivitetin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Shumat e përfituara, sipas prokurorisë, janë kthyer në prona, konkretisht dy vila në Hamallaj dhe Palasë, të sekuestruara pak muaj më parë nga GJKKO me urdhër të SPAK, edhe pse ishin në pronësi përkatësit të Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Ahmetajt dhe ish-gruas së tij Albina Mançka.
Nëse Ahmetaj do të shpallej fajtor nga gjykatat për veprat penale nga të cilat akuzohet, mund të dënohet nga 10 deri në 15 vite burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.